E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri i Maqedonisë, Gruevski takim me Rompuy, Busek e Fule

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili po qëndron për vizitë dyditëshe në Bruksel, dje është takuar me kryetarin e Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jirxhi Busek, dhe me eurokomisionerin për Zgjerim, Stefan Fule. Në thelb të këtyre takimeve ka qenë zgjidhja e çështjes për emrin e Maqedonisë, e cila do të diskutohet edhe sot në një takim mes Gruevskit dhe Papandreut. Kreu i qeverisë së Maqedonisë sot do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Partive Popullore Evropiane. Takimi, siç informoi shërbimi qeveritar, është në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe është pjesë e përpjekjeve në funksion të procesit, i cili udhëhiqet nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për emrin. Ndërkohë nga MPJ e Maqedonisë kanë bërë të ditur se deri në fund të muajit do të zhvillohet një takim i radhës edhe midis ndërmjetësit, Metju Nimic dhe palëve negociatore.
Parlamenti Evropian
Një deputet i Parlamentit Evropian kërkoi që Maqedonia të lejohet që të hapë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë me Islandën. Deputeti slloven i PE-së, Jelko Kacin, në një letër dërguar drejtuar zyrtarëve të lartë të bllokut evropian dje, përkujtoi Komisionin Evropian se duhet caktuar një datë për të ofruar parakushtet "për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë në të njëjtën kohë me Islandën". Sipas Kacinit, hyrja e Maqedonisë në BE do të ndihmonte mjaft stabilitetin e këtij vendi. "Anëtarësimi i Maqedonisë, me një emër kompromisi, do të sjellë rezultate të qëndrueshme në aspektin e të krijimit të stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor",- shkruan Kacin në letrën dërguar Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe Komisionerit Evropian për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule. Sipas Kacinit, "përmirësimi i klimës ekonomike dhe politike në Maqedoni do të kishte ndikim thelbësor në rajonin e gjerë, përfshirë këtu edhe Greqinë".
Maqedonia gëzon statusin e vendit kandidat për hyrje në BE që nga viti 2005, mirëpo kohëve të fundit, pas përmbushjes së reformave të duhura, emri i saj mbetet çështja kryesore e mosnisjes së bisedimeve të anëtarësimit. Greqia është duke e bllokuar atë për shkak të emrit kushtetues të vendit të Ballkanit Perëndimor “Republika e Maqedonisë”.
Emri
Shkupi zyrtar ka bërë edhe një herë me dije qëndrimin e tij për emrin. Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, njoftoi se identiteti i Maqedonisë vazhdon të jetë pjesë e pakos së gjerë të propozuar nga ndërmjetësi Methju Nimic për kapërcimin e kontestit për emrin me Greqinë. Kjo deklaratë erdhi si reagim ndaj pohimeve të shefit alternativ të diplomacisë greke, Dimitris Drucas, se emri "Republika Veriore e Maqedonisë" është i pranueshëm për Greqinë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë theksojnë se pozicioni i njohur grek, lidhur me kontestin e emrit, nuk e ekspozon dimensionin e vërtetë të problemit, dhe se ky është provokim në identitetin e Maqedonisë. Ndërkaq, burime pranë zyrës së ndërmjetësit të OKB-së për kontestin e emrit, Metju Nimiç, bëjnë të ditur se po përgatitet një propozim i ri, i cili do t`u shtrohet të dyja palëve. Me zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

Riker: “Takimi Gruevski-Papandreu, mundësi për zgjidhje”

Takimi i sotëm i kryeministrave Nikolla Gruevski dhe Jorgos Papandreu në Bruksel është mundësi e shkëlqyeshme të bisedojnë dhe të arrijnë përparim rreth çështjeve që i ngarkojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe të ndihmojnë për lëvizjen e procesit negociues. Kështu është shprehur dje në Strumicë ambasadori i SHBA-së në Republikën e Maqedonisë, Filip Riker, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çka pret nga takimi i nesërm Gruevski - Papandreu.
“Në këtë moment kritik kjo është me rëndësi të madhe për rritjen ekonomike dhe për përparimin e Maqedonisë, si dhe për tërë rajonin. Për këtë arsye tani është momenti i duhur me ndërmejtësimin e OKB-së që të gjendet zgjidhje për këtë problem”,- theksoi Riker.

Cervenkovski: “Gruevski si Millosheviçi”

Kryetari i LSDM-së, Branko Cervenokovski, tha se Nikolla Greuvski po përdor skenare për ta heshtur opozitën. Ai e krahasoi atë me diktatorin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviçin. Gjatë vizitës së tij, një grup i qytetarëve, për të cilët LSDM supozon se janë të manipuluar nga partia e kryeministrit, Nikolla Greuvski, kanë brohoritur kundër liderit të opozitës, duke e akuzuar atë për qeverisjen e tij në të kaluarën. Dy grupet e qytetarëve për pak sa nuk janë kacafytur me njëra-tjetrën. Kryetari i LSDM-së, Branko Cervenokovski, tha se Gruevski po përdor skenarë për ta heshtur opozitën. Ai e krahasoi atë me diktatorin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviçin.
“Nikolla Gruevski filloi gjithnjë e më tepër ta imitojë Sllobodan Milosheviçin, me ato mitingjet dhe kundërmitingjet e tij. Mendoj se Gruevski luan me zjarrin.
Nuk ka punë më të keqe nga ajo që bën, duke i shtyrë qytetarët të grinden me njëri-tjetrin. Por ai duhet ta dijë se për çdo incident në këtë shtet, do të mbajë përgjegjësi”,- theksoi Cervenkovski. Lideri i opozitës tha se nuk do të ndalet me realizimin e takimeve direkte me qytetarët, pavarësisht obstrukcioneve të bëra nga kryeministri dhe partia e tij, VMRO-DPMNE.
Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›