Emri i Maqedonisë, debat i ashpër në Parlamentin Evropian
STRASBURG - Takimi i delegacionit të Parlamentit Evropian, në të cilin duhej të përgatitej një komitet i përzier parlamentar PE-Maqedoni, përfundoi me diskutime të ashpra mes eurodeputetëve gjermanë dhe grekë rreth çështjes së emrit të Maqedonisë. ''Në vend që të debatohet për përparimin e Maqedonisë, debati po përqëndrohet në çështjen për emrin'', tha kryetari i këtij komiteti, eurodeputeti gjerman me origjinë greke, Jorgo Shaqimarkaqis, sipas radios gjermane ''Deutsche ëelle''. Menjëherë pas fjalimit hyrës të ambasadorit të Republikës së Maqedonisë pranë Bashkimit Evropian, Blerim Reka, diskutimet dolën nga kontrolli i kryesuesit për shkak të qëndrimeve të ashpra kundërshtuese për emrin. Ambasadori Reka, theksoi se Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por po ballafaqohet me çështjen e emrit, që është shndërruar në kriter të pashkruar, i cili mund të pengojë procesin eurointegrues të Maqedonisë. "Maqedonia dëshmoi se do të vazhdojë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. Por, sipas marrëveshjeve që kemi bërë, Greqia nuk ka të drejtë dhe ka detyrim të mos e frenojë anëtarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare", deklaroi ambasadori Reka. Nga ana tjetër, eurodeputetët grekë Jorgos Kumucakos dhe Ani Podhimata, të mbështetur nga bullgari Evgeni Kirilov, më shumë se një herë insistuan për marrëdhënie të mira fqinjësore duke kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë që të përmbahen nga provokimet ndaj fqinjëve. Sipas tyre, problemi me emrin nuk është vetëm bilateral. Eurodeputetët gjermanë Michael Kramer dhe Martin Kastler, së bashku me rumunen Monika Makovei, pohuan se bëhej fjalë vetëm për problem bilateral. Ata kërkuan që kontesti për emrin të mos e pengojë Maqedoninë në integrimin euroatlantik. "Vetoja e Greqisë kundër Maqedonisë për anëtarësimin në NATO, për ne është e pakuptueshme. Kjo është temë e madhe diskutimi midis dy vendeve", tha Michael Kramer. Eurodeputeti grek dhe nënkryetari i delegacionit të PE-së, Nikolas Salavrakos, nga radhët e partisë greke ultranacionaliste ''Laos'', kërkoi nga ambasadori i Maqedonisë që ta emërtojë vendin e tij sipas referencës kohore. "Për mua, ajo është Republika e Maqedonisë dhe unë jam ambasador i Republikës së Maqedonisë dhe ky është emri kushtetues i vendit tim. Unë vetëm kështu do ta quaj", theksoi Reka. Ndërkohë, në takim u përsërit ideja për rolin që mund ta luajë Havier Solana për gjetjen e zgjidhjes për emrin gjatë kryesimit të radhës të BE-së nga Spanja. Kryeministri spanjoll dhe kryesuesi i radhës i BE-së, Hoze Luis Zapatero në fjalimin para Parlamentit Evropian në Strasburg shfaqi shpresën e zgjidhjes së çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. (d.b/BalkanWeb)