E Diel, 1 Nëntor 2026

Francesko Poli: Piktura shqiptare, në nivele të mira

TIRANE- Arti juaj është në një nivel të mirë. Ka artistë shqiptarë që njihen jashtë, udhëtojnë dhe e dinë se ç'ndodh". Kështu shprehet Francesco Poli në lidhje me pikturën shqiptare. Duke folur për pikturat konkurruese ne edicionin e 16-të të 'ONUFRI', ai analizon tri veprat fituese, piktorët e tyre, por nuk lë pa përmendur edhe e një tjetër vepër që i ka mbetur ne mendje e pikërisht një videoinstalacion. Me sa duket, Poli njeh mjaft artistë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali e Francë, ndaj edhe përqendrohet në vlerësimet e punës së tyre. Kjo është hera e dytë që vini në Shqipëri. A njihni artistë shqiptarë dhe çfarë mendoni për artin tonë? është hera e dytë që vij në Shqipëri. Herën e parë kam ardhur në vitin 2008 për të kuruar ekspozitën e Eltjon Valle. E njoh Shqipërinë, por njoh edhe shumë artistë shqiptarë që janë shkolluar në Itali dhe punojnë andej, ose edhe artistë shqiptarë që punën e tyre e kanë përqendruar në Paris. Mund të them se këtu keni artistë të mirë. Kanë udhëtuar shumë dhe e dinë se çfarë ndodh me artin botëror, ndaj kanë sjellë kërkime të mira. Ka shumë artistë shqiptarë që njihen jashtë, ndaj mund të them se arti juaj është në një nivel të lartë. Sa e njihni artin tonë të pikturës? Kam filluar ta njoh mjaft, sepse e përsëris, kam njohur shumë artistë të rinj që i kam takuar në Akademinë e Brerës në Milano, apo në Paris. Më ka rastisur shpesh që të shoh më përpara punët dhe më pas të njoh artistët. Kjo për të rinjtë, ndërsa për piktorët që i takojnë një brezi më të vjetër, nuk i njihja. Kam parë disa kuadro këtu në ekspozitën "ONUFRI", dhe mund të them se ka qenë një rast i mirë që ta njoh sa më mirë. Kuratori ka përzgjedhur disa vepra nga përfaqësues të brezave të ndryshëm të pikturës, ndërsa detyra jonë si juri, ka qenë ajo që të japim një çmim të parë për të vjetrit dhe të dytë për të rinjtë. Sa i takon veprës që u vlerësua si më e mira, çfarë iu ka pëlqyer apo ju ka bërë përshtypje më shumë? është një kuadro që ka një forcë ekspresive mjaft të dallueshme, ka momente realiste, por duket edhe si një pikturë si ëndërr. Figurat e tij femërore kanë shumë freski. Autori i saj u shpreh se vepra e tij lë vend për interpretime. Cili do të ishte interpretimi juaj? Më ka pëlqyer shumë vendosja e figurave në kompozim, liria në të pikturuar dhe freskia. është një skenë që nuk ka narracion, por që të bën të mendosh, të bën të imagjinosh. Kush e di se ç'bëjnë aty gjithë ato goca, çmendojnë, çfarë presin. Janë të veshura njësoj, të qeshura dhe mbase presin të dashurit. Juria ra dakord që të zgjidhej ajo pikturë si fituesja, sepse duhej zgjedhur një prej tyre. Sigurisht që kishte vepra mjaft të mira. Më e vështirë ishte përzgjedhja e çmimit të dytë, sepse duheshin zgjedhur artistë që jetojnë këtu. Vendosëm t'iu japim çmimin e dytë dy artistëve mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri, siç janë Enkeljd Zonja dhe Aldi Zgjani, por kanë shumë cilësi dhe perspektivë. A mund të na flisni për këto vepra? Ajo e Zonjës, "Përrallë nga '97", është një vepër që i referohet një realiteti. është një kuadro që të bën të mendosh, nga e djathta është policia në punë, më pas një engjëll me kokë ulur. Ndërsa për Aldi Zgjani mund të them që ka një vepër më të rafinuar. Edhe ajo ka elementë të realitetit. çfarë ju ka bërë shumë përshtypje përveç veprave fituese? Ka qenë një videoinstalacion ku shihej Shqipëria në ditët e sotme, pallate në ndërtim, dhe nga ana tjetër, para videos kishte disa vegla muzikore që parakalonin, por ishin vegla të sajuara me kocka. Kjo ishte shumë interesante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›