Emri i Maqedonisë, sot debati në parlament
SHKUP - Parlamenti i Maqedonisë nis sot debatin lidhur me çështjen e emrit, pasi OKB-ja vendosi një afat prej pesë javësh për të zgjidhur konfliktin me Athinën lidhur me këtë çështje. Sidoqoftë, çështja e emrit është një nga pikat e fundit të seancës, e propozuar nga një parti minore opozitare, Partia e Re Social Demokrate (PRSD). Paraprakisht pritet të mblidhen krerët e grupeve parlamentare për të përcaktuar vijimin e seancës lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski nuk ka vërtetuar zyrtarisht për fillimin e debatit për çështjen e emrit, pas rezolutës së propozuar nga opozita. Propozimi i kësaj rezolute vjen pas asaj për njohjen e Kosovës nga Shkupi zyrtar, për të cilën kërkohet unitet gjithëpartiak dhe hartimi i një strategjie të përbashkët për çështjen e emrit. Shkupi e hodhi poshtë propozimin e ndërmjetësit të OKB-së për emrin e Maqedonisë, duke deklaruar se ai nuk respektonte identitetin historik të tij. Edhe Athina u shpreh kundër propozimit, duke e lënë konfliktin ende të pazgjidhur. Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë caktuar një afat prej 5 javësh për zgjidhjen e çështjes, me qëllim që të mos bllokohet anëtarësimi i Shkupit në organizatat ndërkombëtare.
(d.b/BalkanWeb)