E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri, peng i “patriotizmit maqedonas”

Çështja e emrit të Maqedonisë, vazhdon të qëndrojë pezull. Përgjegjësia, edhe gjatë këtij mandati, i mbetet qeverisë së rizgjedhur me në krye Nikola Gruevskin.

Takimet e ish ambasadorit Philip Reeker me autoritetet vendore sikur nuk japin fije shprese për zgjidhjen e kontekstit të emrit.
“SHBA-ja është partner i Maqedonisë, por këtë pyetje duhet t`ia parashtroni kryeministrit tuaj dhe liderëve të juaj", ishte prononcimi Reeker.

Ndërkombëtarët shpresojnë që ky kontest mund të zgjidhet shumë shpejtë, ndërsa topi është te qeveria, konkretisht te njeriu i parë i saj. Qëndrimet e deritanishme të partive shqiptare ishin që kësaj çështje t`i shihet fundi.

Zëvendëskryeministrja për euro-integrime, Teuta Arifi, ka thënë se duhet patjetër të gjendet kompromis për kontestin e emrit me Greqinë, nga i cili shtet do të kërkojmë partneritet dhe mbështetje për procesin euro-integrues.

Por, deklaratat e kreut shtetëror, sidomos në festën e Ilindenit, ishin më se “patriotike”, se “do të vazhdohet të luftohet për të drejtat e qytetarëve, para se gjithash të drejtën e emrit, identitetit dhe jetës dinjitoze personale në Republikën e Maqedonisë”.

Madje, në ekspozenë e tij, kryeministri Gruevski përsëriti qëndrimin se do t’i përkushtohet dialogut maqedono-grek, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së kontestit me Greqinë për emrin kushtetues, por “pa u ndryshuar kushtetuta, pa u prekur identiteti kombëtar e gjuha dhe pa u verifikuar ajo në referendum nga shumica e qytetarëve”.

Siç transmeton “Zhurnal”, pas gjithë këtyre deklarimeve, Athina zyrtare fajëson qeverinë. Shefi i diplomacisë greke, Stavros Lambrinidis, pohoi se kryeministri i Maqedonisë e mban si peng të ardhmen evropiane të shtetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›