E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emri për kryetarin e KLSH-së, replikat në distancë mes PD-së dhe Topit

TIRANË Emri tjetër që pritet të dekretojë Presidenti i Republikës për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit u bë objekt i replikave në distancë, dy ditë më parë mes Partisë Demokratike dhe institucionit të Presidentit. Përmes një deklarate publike, deputetët demokratë të komisionit të Ligjeve i kërkuan Presidentit që dekreti i ardhshëm për KLSH-në të konsultohej paraprakisht me Kuvendin, me qëllim që të shmangej një përplasje e dytë mes dy institucioneve. Deputetët demokratë u shprehën se kandidatura e Sali Shehut, e propozuar nga Presidenti i Republikës, ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe se për dekretin tjetër Topi duhet të marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që nënkuptonte, sipas tyre, konsultimin paraprak mes dy institucioneve. Por vetëm pak orë më pas, po përmes një deklarate publike, këshilltarët ligjorë të kreut të shtetit theksuan se nuk ka asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese që ta detyrojë Presidentin të konsultohet paraprakisht me Kuvendin për dekretin. Jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon diçka të tillë, sipas këshilltarëve ligjorë të Presidentit, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak. “Asnjë nga institucionet nuk mund të ketë epërsi në vendimmarrjet e veta, pasi të tilla emërime kërkojnë bashkëpunim midis institucioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk bën fjalë për konsultime paraprake midis institucioneve, por për bashkëpunim institucional”, thuhej në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›