PKSH, Milloshi: PS-ja duhet të na ftonte në kongres
TIRANË Komunistët janë ndier të fyer që nuk kanë qenë të ftuar në Kongresin e Partisë Socialiste. Një ditë pas kongresit të PS-së, edhe komunistët kanë zhvilluar kongresin e tyre, ku nuk ka munguar pakënaqësia e kryetarit të PKSh-së, Hysni Milloshi, ndaj Partisë Socialiste. Milloshi ka deklaruar gjatë fjalës së tij se duhet të ishte ftuar në kongresin e PS-së, duke shtuar se ishte PS-ja ajo që e çoi Berishën në pushtet. “PKSh ndodhet brenda ligjit, sipas të gjitha ligjeve të Europës dhe jo sipas vullnetit demokrat e socialist, që dikur na nxorën jashtë ligjit. Pse këto trima u tremben edhe vetë ligjeve të Europës dhe dridhen të bashkëpunojnë me një parti të ligjshme apo të bëjnë një ftesë kortezie në Kongresin e djeshëm, ku ishin të ftuar edhe ujku edhe derri?! Ne jo. Sali Berishën e ngritën në pushtet ata dhe jo ne. Me Sali Berishën u bashkuan ata dhe jo ne”, - deklaroi dje gjatë kongresit, Hysni Milloshi. Ky i fundit garoi në zgjedhjet lokale për postin e kryebashkiakut të Tiranës. Pas votimit, Milloshi mori plot 1 387 vota në Tiranë, ndërkohë që diferenca mes Bashës dhe Ramës për Bashkinë e Tiranës u nda me 81 vota. Ndërkohë dje gjatë kongresit, Milloshi ka komentuar edhe lëvizjen e Aleancës “Kuq e Zi”. Në qoftë se është qëllimi për unitet kombëtar, ne e përshëndesim dhe e përgëzojmë. Në qoftë se është manovër nga ato që fabrikohen nga jashtë, do t’i dalë boja nesër”,- tha Milloshi. Në kongresin e Partisë Komunistë Shqiptare u bënë publike objektivat për të ardhmen, ku kryesorja ishte kthimi i kësaj partie në një faktor politik dhe përfshirja në Parlament pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës.