KLSH dhe Guvernatori, dekretet e Topit bllokohen për çështje shkresash
Topi nuk mund të dekretojë emër për KLSH-në, ashtu edhe për postin e Guvernatorit, në rast se Kuvendi nuk do të ndjekë një procedurë formale, atë të depozitimit zyrtarisht në Presidencë të vendimit për rrëzimin e dekretit të Shehut dhe miratimin e gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës
TIRANË Një përplasje e dytë si ajo me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese duket se do të ndodhë deri në fund mes institucionit të Presidentit dhe atij të Kuvendit. Pas akuzave të ashpra publike (pak kohë më parë) mes Presidentit të Republikës dhe kryetares së Kuvendit, dy krerët e lartë të shtetit duket se e kanë të vështirë të komunikojnë edhe përmes procedurave zyrtare, apo siç thuhet rëndom në gjuhen e përditshme: shkresave. Gjasat janë që të kemi sërish bllokim ose vonesë të panevojshme të emërimit të krerëve të institucioneve të pavarura, sa kohë që nuk do të ndiqen procedurat zyrtare, që lipsen në emërimin e një dekreti të dytë nga ana e Presidentit, pas rrëzimit të dekretit të parë nga Kuvendi. Burime për gazetën “Mapo” sqaruan dje se, nëse Kuvendi nuk e njofton zyrtarisht Presidentin përmes një letre zyrtare për rrëzimin e Sali Shehut në krye të KLSH-së (votat që ky i fundit ka marrë dhe motivacioni për rrëzimin e dekretit), apo edhe emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës, Topi nuk mund të dekretojë emër tjetër qoftë për KLSH-në ashtu edhe për postin e Guvernatorit. Burimet argumentuan se Presidenti i Republikës nuk mund të vihet në lëvizje nga ana ligjore në rast se nuk do të ndiqet kjo procedurë formale, e cila për hir të së vërtetës nuk është ndjekur me parë, sepse asnjëherë më parë nuk ka pasur një precedent të dytë, pra që të rrëzohet dekreti i një Presidenti për kryetarin e KLSH-së. Në anën tjetër, nga Kuvendi nuk ka ende një koment apo qëndrim për këtë çështje.
Rrëzimi i dekretit për KLSh-në
Përmes një votimi të hapur, të enjten e javës së kaluar mazhoranca votoi kundër dekretit të presidentit, për Sali Shehun si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e Shehut mori 75 vota kundër, 52 abstenime, kryesisht të opozitës, dhe 1 votë pro e deputetit Gazmend Oketa. Katër deputetë të tjerë nuk morën pjesë në votim. Ky vendim i Kuvendit, i hapur dhe i ditur për gjithë publikun e gjerë, në fakt duhet të dorëzohet zyrtarisht në Presidencë, (deri dje nuk ka mbërritur asnjë letër) me qëllim që kreu i shtetit të vihet në lëvizje për emrin e ri në krye të KLSh-së. Mandati i kryetarit aktual, ai i Robert Çekut, ka përfunduar në fund të muajit të kaluar.
Guvernatori i Bankës
Të njëjtën procedurë Topi do të ndjekë edhe për dekretin tjetër, atë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kuvendi duhet të depozitojë sërish në Presidencë emrat zyrtarë që u miratuan nga ky institucion për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Neni 161 i Kushtetutës citon se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Edhe pse Kushtetuta nuk e detyron, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duhet të dekretojë për Guvernator të ardhshëm një ndër emrat anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Kjo sepse neni 44 i ligjit për Bankën e Shqipërisë citon se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, ku përfshihet edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Në seancën e fundit parlamentare, Kuvendi miratoi gjashtë anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita gjetën gjuhën e përbashkët për tre nga kandidaturat: Ermelinda Meksi e propozuar nga Partia Socialiste, Dhori Kule i propozuar nga Partia Demokratike dhe Ela Golemi e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë, 3 kandidaturat e tjera, ajo e Ardian Fullanit, Petraq Milos dhe Elisabeta Gjonit, të propozuara nga qeveria, kanë marrë votat e mjaftueshme, por nuk kanë gëzuar shumicën e mbështetjes së opozitës.
N.Perndoj