E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Kush kritikon, etiketohet si njeri i Berishës

TIRANË Ajo që deputeti i PS-së, Kastriot Islami nuk ka pëlqyer më shumë në mbarëvajtjen e Kongresit të djeshëm të PS-së kanë qenë akuzat etiketuar ish-Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani. “Pas diskutimeve në asamble të programit dhe ndryshimeve statutore, ish-presidenti Rexhep Meidani dha një mendim për disa pjesë të programit dhe sot u godit fuqimisht nga zoti Rama në fjalimin e tij, duke e konsideruar mendimin e tij kundër, por ky mendim e paska çuar zotin Meidani te zoti Berisha. Kjo është në kundërshtim me të gjithë retorikën e mëparshme që bëri zoti Rama për bashkim dhe për të pranuar gabimet. Po në atë mbledhje, një nga personalitetet e Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi tha që PS-ja është kthyer në një OJF pa ide, pa ideale dhe pa emocione. Edhe ai futet në grupin e dytë të njerëzve që kritikojnë dhe duke kritikuar i shërbekan prapë zotit Berisha...Pra, thellë në subkoshiencë, mendimi ndryshe trajtohet në një situatë bardhezi: ose të jeni me mua, të flisni siç mendoj unë dhe do t’i vlerësoj unë kritikat, ose po folët ndryshe, atëherë ju jeni me kundërshtarin Sali Berisha”, - tha dje Islami. Megjithatë, deputeti i PS-së shtoi se ai do të vazhdojë të japë mendimin e tij brenda hapësirave, që sipas tij janë ngushtuar në PS. “...Ne jemi njerëz që kemi punuar për PS-në, e kemi themeluar PS-në, kemi qeverisur me PS-në, kemi treguar kapacitetet tona”, - shtoi ai. Ndërkohë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Islami theksoi gjithashtu se PS-ja duhet të bashkojë të majtën. “...Për të fituar zgjedhjet, PS-ja duhet të bashkojë të majtën, e cila ende vazhdon të jetë e pabashkuar në nivelin e saj maksimal. Kjo është një nga sfidat më të mëdha, të cilën zoti Rama në 2005-ën kur kërkoi largimin e zotit Nano, e vendosi si prioritetin e prioriteteve, dhe nuk arriti dot që ta realizojë. Pra, kjo mbetet një sfidë kryesore për të fituar zgjedhjet. Momenti i dytë është krijimi me të gjithë aleatët e saj i një aleance të sinqertë. Ndërsa së treti, është e nevojshme vendosja e disa rregullave për përmirësimin e demokracisë së brendshme, hierarkisë së vlerave dhe karrierës në PS. Këto përbëjnë një bllok të rëndësishëm krahas programit, i cili është një bazë e mirë debati dhe diskutimi”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›