Emri, takohen në Vilnus ministrat e Maqedonisë dhe Greqisë

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Popovski dhe Stavros Dhimas janë takuar në Vilnus të Lituanisë, në kuadër të takimit ministror të OSBE-së.
Zgjidhja e kontestit të emrit përmes një kompromisi të arritur midis dyja palëve, si dhe vendimi i fundit i GJND-së kanë qenë temat kryesore të këtij takimi të parë midis Popovskit dhe shefit të sapozgjedhur të diplomacisë greke.
Sipas mediave maqesonase ministri Popovski ka kërkuar që Athina zyrtare të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe institucionet që implementojnë atë, duke u ndërlidhur me respektimin e vendimit të fundit të GJND-së.
“Mendoj se kemi mundësinë e shkëlqyeshme që ti afrohemi këtij procesi me qëndrime konstruktive nga të dyja palët. Vendimi i GJND-së duhet të shfrytëzohet dhe duhet të shihet si një mundësi e mirë për afirmimin dhe krijimin e një qëndrimi pozitiv të mbizotëruar nga sundimi i së drejtës në aspektin ndërkombëtar”, ka deklaruar ministri Popovski.
Ministri grek nuk është deklaruar pas këtij takimi, mirëpo ai paraprakisht ditë më parë duke komentuar vendimin e GJND-së ka nënvizuar se qëndrimet e Athinës lidhur me kontestin e emrit janë të pandryshuara pavarësisht vendimit të gjykatës së Hagës.