Enada, si Eva topless
Enada do të jetë topless. E mbuluar me tyl të hollë, të tejdukshëm, por që nuk do të arrijë të mbulojë trupin e saj të lakuriqtë, duke i shkuar nga pas natyrës së baletit,
ashtu siç është krijuar qysh në zanafillë - Eva dhe Adami, kur ende nuk ishin të mbuluar me një gjethe. Ky është koncepti i koreografit italian, Tony Candeloro, i cili nuk e ka shprehur haptas nudizmin që do të paraqitet së shpejti në skenën e teatrit të operës nga balerinët e TKOB-së, Enada Hoxha dhe Gerdi Vaso. Ndoshta i druhet mentalitetit shqiptar, por vetë koreografi na thotë se e sheh si mundësi për realizim, pa na treguar se çfarë do të ndodhë - gati si një surprizë. Megjithatë, kjo vepër është vënë në skenë plot 20 vite më parë nga Candeloro, dhe ky vit në Tiranë realizon karrierën e tij 25-vjeçare si koreograf. Shfaqjen koreografi na e sheh thjesht si lindje, me engjëj dhe plot fëmijë në skenë. Ky është krijimi i botës, zanafilla e saj, ku nëpërmjet muzikës së kompozitorit Hayden, do të ngjitet në skenë premiera “Die Schopfung”
Së shpejti baleti “Krijimi” do të vihet në skenën e operës shqiptare, me koreografinë, skenografinë dhe kostumografin tuaj. Na tregoni diçka mbi këtë projekt?
Më shumë se një projekt është një lindje. Siç dihet, në teatër projektet rrinë mbi tavolinë. Ajo që lind në skenë pothuajse gjithmonë është e kundërta e asaj ç’ka është menduar. Jo se ne nuk e respektojmë projektin kryesor, por shpresojmë jashtë mase, deri në maksimum, që të dalë e vërteta e ndjenjës. Në këtë spektakël, pra “Krijimi” edhe pse ka personazhet e krijimit të botës, janë sjellë në skenë gjithsecili me thelbin e tij. Jo në mënyrë përshkruese, por nëpërmjet personaliteteve të ndryshme të balerinëve. Kjo më është lejuar nëpërmjet njohjeve personale që kam me balerinët, me Enadën dhe Gerdin. Ka shumë balerinë që në aparencë duken shumë të fortë, por në brendësi ata janë mjaft delikatë. Kjo është shumë e rëndësishme për këtë spektakël, që të kesh një material njerëzor dhe shumë të ndryshëm në të njëjtën kohë. Kjo sepse edhe bota është e përbërë nga njerëz të ndryshëm nga njëri-tjetri. Dhe këtu është fjala për atë se si lindi bota, lindja e hënës, e diellit, Zotit, që vjen në aspektin fetar.
Vënia në skenë e këtij baleti është menduar që të vijë në një mënyrë shumë të thjeshtë, sepse besoj se një subjekt i tillë do të jetë kuptimi jo vetëm i një muzike, por edhe si një fëmijë që mund të pikturojë, ashtu siç i shikon prindërit e tij, apo edhe siç mund të imagjinohen të gjithë burrat dhe gratë e kësaj bote.
Pse keni bërë këtë zgjedhje?
E pse mos ta bëj?!
Doja të dilja në konceptin që doni të sillni, apo filozofinë që keni përdorur, çfarë ju ka ngacmuar në këtë lindje?
Kur flitet për filozofinë, flitet për gjëra të thjeshta. Unë jam një person që bëj teatër dhe nëse arrij të jap një projektim të asaj që bëj, për mua është një lloj filozofie. Jo vetëm e imja, por për atë që e shikon. Gjithçka është relative në këtë mes. Besoj se në art shprehen dhe lindin filozofi të ndryshme. Edhe në disa momente politike i janë dhënë një filozofie të caktuar. Ne nuk jetojmë në këtë lloj situate, pasi opera shikohet nga një publik që është krejt i ndryshëm. Veç kësaj, çdo njeri ka të drejtë ta shikojë operën ashtu siç dëshiron ai vetë. Nëse unë shikoj diçka që nuk më pëlqen, ndoshta edhe pas pesë vjetësh është e mundshme që të ndryshojë mendim, sepse jam më i pjekur, ose mund të ketë ndonjë ndryshim kulturor.
Cili është koncepti “risi” që kërkoni të sillni me këtë balet?
Mua më pëlqen që të më jepet mundësia që të realizoj koreografi të muzikës së Hayden-it, sepse ky është një kompozitor shumë i rëndësishëm dhe fondamental, pasi edhe Moxart është frymëzuar nga muzika e tij. Ne i njohim disa melodi të tilla.
E keni vënë herë tjetër në skenë këtë balet?
Rreth 20 vjet më parë kam qenë balerin i kësaj vepre në Zyrih, por jo koreograf.
Nuk është një vepër e panjohur për ju. Po thoni që e keni luajtur atë vetëm si balerin 20 vjet më parë. A ka elementë koreografikë që janë përdorur në atë kohë, që do të përdoren edhe në këtë premierë? Nëse po, cilët janë?
Çdo njëri prej nesh ka një “background”, por është e nevojshme që të ndërtosh dhe të dish të izolosh duke marrë parasysh edhe rreziqet, në mënyrë që të kuptojmë se ku duam të arrijmë. Për këtë, bëhet fjalë vetëm në një familje, që në rastin konkret familja ime është teatri. Unë jam koreografi i këtij versioni dhe sigurisht që brenda meje ka diçka, ashtu siç Moxart u frymëzua nga Hayden. Është e drejtë që edhe ne të inspirohemi në të mirë apo në të keq në atë çka ka ekzistuar, duke kërkuar që në krijimtarinë e tij të personalizojë vizionin që do të përshtatet.
Një ftesë nga TKOB. Pse pranuat të bashkëpunonit për koreografinë e kësaj vepre?
Tre vjet më përpara kam biseduar me drejtorin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko dhe jemi menduar gjatë për këtë vepër. Kjo për shkak se opera është diçka shumë e rëndësishme dhe fondamentale dhe e kërkonte një kohë të tillë. Kjo opera është fondamentale pasi të jep mundësinë krijuese, ashtu siç vjen e treguar edhe nëpërmjet muzikës. Ky është një balet i përshtatshëm edhe për të vegjlit, sepse ata mund të shohin elementë që shpërndan natyra tek shpirti. Do të vijë në atë mënyrë që këta elementë të jenë të përshtatshëm në krijimtarinë muzikore për jetën e tyre të vërtetë. Sepse në fakt flitet për engjëj, për lindjen e hënës dhe të diellit, jepet një aspekt domethënës nëpërmjet gjestit dhe veprimit të sjellë me objekte, materiale të ndryshme.
Engjëj, lindja e hënës dhe e diellit, si është menduar t’i sillni?
Në këtë opera, pikërisht tek teksti muzikor, është dhënë kjo lindje e hënës dhe e diellit. Tingëllon në atë formë që të lë të kuptohet se bëhet fjalë edhe për një univers të tërë. Muzika është e atillë që të bën të kuptosh automatikisht atë që ndodh. Të krijon shumë emocione të papërshkrueshme.
Enada dhe Gerdi në posterin e premierës kanë pozuar nudo. Kështu do të vijnë edhe në skenë?
Le ta lëmë surprizë. Ne po mendohemi akoma, pasi deri në momentet e fundit mund të ndryshojnë shumë gjëra. Por mund të them që në skenë do të jetë edhe fëmija e këtyre dy balerinëve, bashkë edhe me 20 fëmijë të tjerë.
Cili është roli i këtyre fëmijëve në skenë? Çfarë do të simbolizojë prania e tyre?
Në fakt, ata do të luajnë me mua dhe do të paraqitemi sipër një reje, ku do të luajmë rolin e vëzhguesit. Jam i rrethuar nga këta fëmijë, sepse kam shumë frikë. Fëmijët janë shumë të fortë, sepse ende nuk provuar çaste tmerri apo drama. Të dalësh në një mënyrë alternative për mua është një moment shumë i rëndësishëm, sepse në këtë spektakël nuk do të jem vetëm Tony Candeloro.
Pse keni përzgjedhur Enadën dhe Gerdin si protagonistë të premierës?
Nuk janë protagonistët e premierës, por ndër balerinët kryesorë. Do të interpretojnë rolin e Adamit dhe Evës, por balerinë të tjerë janë engjëlli Gabriel, është Ariel e shumë personazhe të tjerë të krijimit të botës. Por gjithashtu balerinët Enada dhe Gerdi kanë një moment shumë thelbësor, pasi sjellin në skenë personalitetet e njerëzve.
Kemi vënë re që bashkëpunimet me operën shqiptare janë të shpeshta. Pse vjen gjithë ky aktivizim? Çfarë iu tërheq?
Çdo njëri prej nesh duhet të ketë shumë dashuri, pa pasur nevojë të fshihemi dhe t’i themi dikujt pa frikë “të dua”. Kështu që unë në punën time nuk e kam parë asnjëherë arsyen e vërtetë. Kam lënë që gjithçka të rrjedhë vetë deri në të ndjerin e këtij momenti. Kështu që bashkëpunimi jonë është një takim i të kërkuarit në teatër. Do të thosha që këto lloj bashkëpunimesh sidomos në Mesdhe janë të rëndësishme, sepse ne të gjithë ngjajmë shumë me njëri-tjetrin.
A ju pasuron oferta që iu jep opera shqiptare?
Nuk kam menduar anën e të pasuruarit, por ashtu siç e thashë edhe më lart, unë lë gjithçka që të rrjedhë vetiu. Marr momentet që më pëlqejnë, por edhe kam shumë frikë nga ana tjetër, pasi më duhet të marr parasysh edhe rreziqet e paparashikueshme që mund të më dalin.