Masa për studenten-prostitutë; Burg tutorit Monopuli, lirohet shoferi i taksisë
Mes lotëve përgjatë gjithë ecurisë së seancës, studentja e cila ushtronte prostitucion kundrejt shumave 100-150 euro, ka deklaruar para gjykatës se fillimisht ishte shfrytëzuar, ndërsa më pas ishte detyruar të shiste trupin për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Vajza 24-vjeçare A.D. ka pranuar akuzën para gjyqtarit të gatshëm, Sokol Tona, madje duke u shprehur se fillimisht është shfrytëzuar si prostitutë nga personi me të cilin bashkëjetonte dhe më pas nga të tjerët. Pas deklarimit të vajzës, gjykata ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest me burg”. E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për tutorin e saj, Mario Monopuli, 19 vjeç, ndërsa për taksistin Altin Djaçi, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Dy të pandehurit nuk kanë pranuar të japin shpjegime para gjykatës. Prokurori i çështjes i ka shpjeguar gjykatës se studentja prej disa kohësh ushtronte prostitucion, ndërsa klientët e saj ia siguronte tutori. Nga hetimet ka rezultuar se klientët e studentes ishin kryesisht shtetas të huaj, madje mes tyre kishte dhe përfaqësues të selive diplomatike në vend. “Porosia” për të pasur vajzën në shtratin e tyre të hotelit bëhej me telefon. Klientët janë kryesisht shtetas të huaj, të cilët ishin të gatshëm të paguanin shumën që u kërkohej”, - saktësuan burime nga policia. Klientët e prostitutës 24-vjeçare gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, qëndronin në hotelet luksoze në Tiranë. Duket se mes tyre ka dhe përfaqësues të selive diplomatike në Shqipëri.