E Shtunë, 31 Tetor 2026

UISH u mëson infermierëve Kodin e Etikës



Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në kuadrin e Muajit të Infermierisë (12 prill – 12 maj) ka nisur zhvillimin e takimeve në nivele lokale me përfaqësues të shërbimeve shëndetësore, në të cilat po diskutohet dhe po paraqiten problemet reale me të cilat përballet kategoria e infermierëve, mamive dhe fizio-terapistëve në mbarë vendin.

Gjatë këtyre aktiviteteve të zhvilluara në nivel qendrash shëndetësore apo spitale rrethesh, infermierët po sensibilizohen për rritjen e nivelit etiko-profesional dhe po diskutohet mbi tematika për rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie në sektorin shëndetësor. Ndërkaq, sipas UISH, këto takime po shërbejnë në të njëjtën kohë edhe për ballafaqimin e punës dhe sjelljes së infermierëve, në përshtatje me Kodin Etik. Ditët e fundit janë zhvilluar takime në Korçë, Elbasan dhe Vlorë dhe është menduar që në përmbyllje të këtyre aktiviteteve, të zhvillohen edhe konferenca rajonale me pjesëmarrjen e infermierëve në rang qarqesh. Më 6 maj është përcaktuar data e një konference të tillë në Korçë, ndërsa në Elbasan ajo është konkluduar të organizohet në datën 28 prill.

Nga ana e tij, Presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi, u shpreh se “infermierët nuk duhet të ndiejnë inferioritet në aspektin profesional para mjekëve, por se puna e tyre duhet të stimulohet për të krijuar rezultate edhe më shumë efikase në këtë sektor”. Ndërsa zv.presidenti i këtij organizmi, Eduard Qazimi, vuri në dukje faktin e përmirësimit të kualifikimit të infermierëve shqiptarë, duke synuar shtimin e numrit të atyre që janë me arsim të lartë në të ardhmen. Këto aktivitete të zhvilluara do të pasohen me një seri aktivitetesh, duke filluar nga tavolinat e rrumbullakëta, seminare, takime në nivel institucionesh dhe rajonale etj.

Pranvera

Mjekët: Shtohen rastet e alergjive

Bari i zakonshëm është dhe varianti më i egër i alergjisë, pasi poleni në të është shumë i lehtë dhe përhapet lehtë në ajër. "Problemet më të mëdha nga alergjitë vijnë në orët e para të mëngjesit, pasi në këtë orë poleni i luleve ka një përqindje më të madhe në ajër", - pohojnë mjekët. Por, sipas tyre, edhe orët e mbrëmjes janë të rrezikshme për alergjikët, ndërkohë që ditët më të këqija janë ato me erë, kur poleni shpërndahet më shpejt. Alergjia është ai veprim që ndodh kur sistemi i imunitetit të trupit kundërvepron ndaj diçkaje që zakonisht nuk të bën ndonjë dëm, ndërsa shkaktar i saj është alergjeni. I njëjti alergjen mund të japë simptoma të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Por, simptomat më të zakonshme janë hundë që rrjedhin, apo të zëna, sy të kuq të acaruar që të kruhen, kollitje, të teshtima, tharje gjuhe dhe fyti, acarime të tyre, vështirësi në frymëmarrje, tharje dhe acarim të lëkurës, etj. Sipas mjekëve, ndër faktorët më kryesorë janë ekspozimi ndaj polenit. Po ashtu, ndikojnë dhe faktorët klimaterikë si ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat. Faktori ambient, sipas tyre, është padyshim ndikues, por nuk ka ende një përfundim të saktë mbi shkallën e ndikimit të ngrohjes globale në këtë numër të rritur të individëve të prekur nga alergjia. Alergjitë janë sëmundje sezonale, kronike dhe nuk duhen nënvlerësuar, pasi mund të sjellin pasoja të rënda për organizmin. Nga pakujdesia dhe moskurimi, ato mund të kalojnë deri në ekzema të lëkurës, probleme të frymëmarrjes etj. Por, problematik është fakti që shumë nga pacientët neglizhojnë alergjinë nga poleni, ndaj mjekët këshillojnë që me vënien re të shenjave të para duhet të kryhet testi i alergjisë, për të zbuluar se nga vijnë irritimet dhe më pas fillimin e kurimit lidhur me këto probleme specifike. Me anë të provave në lëkurë, mjeku arrin të gjejë ndaj kujt kundërvepron trupi. Në këtë mënyrë, alergjiku mund të përpiqet t’iu shmanget vendeve me alergjenë të fuqishëm, ndërsa, në disa raste mjekët rekomandojnë dhe marrjen e medikamenteve. Alergjitë shkaktohen edhe nga substanca të tjera, sikurse pluhuri, fruta të ndryshme, përfshi kikirikët, arrat, peshku, vezët e bulmeti etj. Alergjia ndaj ushqimeve ndodh kur sistemi imunitar reagon ndaj një proteine të veçantë ushqimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›