E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklika për Bujqësinë, mbi 55% e shqiptarëve në mjerim

Kryesocialisti Rama prezanton Enciklikën për Bujqësinë në qytetin e Lushnjës
TIRANË- Pas dy enciklikave të para, Partia Socialiste ka prezantuar dje përfundimet e fazës së parë të "Dialogut me Shqipërinë" për bujqësinë. Për të bërë këtë Partia Socialiste ka "zbritur" në Lushnjë, dhe pikërisht në komunën e Bubullimës, si një nga zonat më bujqësore të vendit. Dokumenti përmbledhës është prezantuar nga specialistë të fushës në një takim ku ka marrë pjesë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Kreu i selisë rozë Edi Rama, duke marrë fjalën në këtë takim, nënvizoi se kjo fazë nuk përbën fundin e diskutimit për bujqësinë pasi tani, sipas tij, nis puna për të vjelë sa më shumë sugjerime dhe për të shkruar raporte mbi këtë dokument, për të përftuar në programin e ri gjithë problematikat, sipas specifikave rajonale të zhvillimit bujqësor. "Tani fillon trajtimi i gjithë këtyre çështjeve, jo për të shtuar thjesht probleme që me gjasë nuk janë të rreshtuara në këtë segment, por për të sugjeruar, për të dhënë ide, për të dhënë alternativa, për të bërë sugjerime në të gjithë rrjetin e sugjerimeve, që ne do të ngremë në çdo vend. Është shumë e rëndësishme që ky proces të zhvillohet në mënyrë sa më korrekte dhe zhvillimi korrekt i tij, do të thotë që ky të jetë një proces larg çdo kufizimi të vendosur në bazë të përkatësisë partiake",- u shpreh Rama. Për këtë arsye, Rama ka ftuar edhe një herë të gjithë ata fermerë dhe specialistë që kërkojnë që të kontribuojnë për një bujqësi më të zhvilluar, që të bëhen pjesë e tryezave që do të ngrihen në çdo komunë, për të dhënë sugjerimet e tyre. Për të pasur një produkt sa më përfaqësues PS ka nisur dhe shpërndarjen e pyetësorëve, ku çdo fermer do të ketë mundësi të japë përgjigje se si duhen zgjidhur një sërë çështjesh që lidhen me bujqësinë, blegtorinë dhe tregjet. "Blegtoria është një degë tjetër shumë e rëndësishme dhe 17 vjet harresë, braktisje dhe tradhti e politikës ndaj këtyre familjeve, kanë sjellë një rrënim të blegtorisë",- tha Rama. Enciklika e Bujqësisë, nëpërmjet kësaj "fotografie" që i bën gjendjes së bujqësisë, hedh dritë duke evidentuar faktin se si mungesa e politikave në ndihmë të fermerëve, bashkë me tregjet e munguara apo të dobëta, si dhe shpërndarja e pabarabartë e pasurisë mes banorëve që jetojnë në qytet e atyre në fshat, gjatë këtyre 17 vjetëve, veprojnë së bashku duke reduktuar eficiencën e përgjithshme shoqërore. Sipas këtij dokumenti, më shumë se 55% e shoqërisë sonë jeton në kushtet e mjerimit dhe izolimit të thellë material, kulturor dhe shpirtëror, në të cilat gjendet fshati shqiptar. Enciklika evidenton tre çështje themelore për gjendjen në fshat, ku, së pari, shumica e institucioneve në zonat rurale gjatë 17 vjetësh tranzicion janë zhvilluar si përgjigje e kushteve materiale, kulturore, shoqërore, si dhe e kushteve që rezultojnë në tregjet e produkteve dhe të punës. Së dyti, copëzimi i tokës bujqësore, në kushtet e mungesës së politikave të zhvillimit nga shteti, pamundëson rritjen e eficiensës në ekonomitë fermere, që karakterizohen prej tregjeve gjerësisht të pakompletuara. Dhe, së treti, mënyra në të cilën janë shpërndarë të drejtat mbi asetet prodhuese, veçanërisht tokën, ndikon jo vetëm në shpërndarjen e të ardhurave në zonat rurale, por ajo ndikon gjithashtu në eficiencën e përgjithshme të ekonomisë rurale dhe asaj kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›