Spitali Ushtarak, PS i kërkon llogari Berishës
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe flet për zhvendosjen e Qendrës së Traumës nga Spitali Ushtarak
TIRANË - Zhvendosja e Qendrës së Traumës nga Spitali Ushtarak në atë "Nënë Tereza" pritet të bëhet objekt i një debati të ashpër parlamentar. Partia Socialiste do të thërrasë në interpelancë kryeministrin Sali Berisha, për të dhënë shpjegime në lidhje me këtë vendim dhe shqetësimet që ngrenë 54 mjekët e kësaj qendre në peticionin e tyre drejtuar institucioneve më të larta shtetërore. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe ka sjellë edhe një herë në vëmendje të opinionit të gjerë, atë që ai e konsideron si skandali i "traumës". Sipas tij, kryeministri Sali Berisha duhet të japë shpjegime se çfarë interesash dhe lidhjesh ekzistojnë pas këtij vendimi, i cili për të jo vetëm që është dyshim por edhe anti-ekonomik për buxhetin e shtetit. "Partia Socialiste do të kërkojë që kryeministri Berisha të përgjigjet para Kuvendit, lidhur me skandalin e zhvendosjes së Traumës të Spitalit Ushtarak. Mjekët e Spitalit Civil janë kërcënuar se do të lirohen nga detyra, ndërsa mjekët e Spitalit Ushtarak janë kërcënuar se do të lirohen nga ushtria. Kjo është akoma më e turpshme. Në këto kushte, Kryeministri duhet të jap sqarime drejtpërdrejtë për këtë çështje",- tha Braçe. Edhe një herë ai ka prurë në vëmendje të publikut se kjo zhvendosje bëhet për interes të një klinike turke, e cila është vendosur në afërsi të këtij ambienti, prapa së cilës, sipas tij, qëndrojnë njerëz të afërt të kryeministrit Sali Berisha. Për të zbardhur të vërtetën e kësaj çështjeje Partia Socialiste kishte kërkuar disa ditë më parë ndërhyrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe të Prokurorisë së Përgjithshme. E ndërsa KLSH ka nisur hetimet e saj profesionale, prokuroria duket se nuk e ka vënë "ujin në zjarr" për të ndjekur çështjen në fjalë. Për këtë arsye, selia rozë ka nisur të artikulojë dhe akuzat e para ndaj kryeprokurores së re, Ina Rama, duke e akuzuar atë për hezitim. "Ndërsa nga KLSH-ja u përgjigjën zyrtarisht se po ushtrojnë kontrolle për vendimmarrjen e qeverisë dhe kontratat e qirasë së lidhur, si dhe për veprimtarinë ekonomike në Qendrën e Traumës, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka qenë e zënë dhe nuk ka gjetur as kohën, as mundësinë për të na kthyer një përgjigje. Në shkresën tonë i kërkojmë Kryeprokurores, se janë të gjitha kushtet që Prokuroria e Përgjithshme të nisë hetimet për këtë vendim të qeverisë",- theksoi deputeti Braçe. Qëndrimi i Braçes vjen edhe pas paralajmërimit të vetë mjekëve të Shërbimit të Qendrës Kombëtare të Traumës, të cilët pohojnë se zaptimi prej turqve i ambienteve jetike, nuk e bën më të mundur dhënien e shërbimit në mënyrë korrekte.