Kryesia e PS, "Dialogu me Shqipërinë" edhe në 2008
Për herë të parë, Kryesia e Partisë Socialiste zhvillohet në një fshat
TIRANË- Partia Socialiste përcakton programin e veprimit të saj politik për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008. Kryesia rozë, në një mbledhje të zhvilluar për herë të parë në një fshat (Golem të Lushnjës) ka miratuar projekt-kalendarin e veprimit të saj politik, që në ditët në vijim pritet të marrë dhe pëlqimin e Asamblesë Kombëtare, për t'u zbatuar më pas gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Ndër pikat kryesore të kalendarit, për periudhën janar-qershor 2008, socialistët kanë vendosur përsëri si prioritet të punës vijimin e "Dialogut me Shqipërinë" për të gjitha çështjet e tjera të mbetura pa u diskutuar gjatë këtij turi. Gjithashtu një pikë e rëndësishme e këtij projekt-programi është edhe hartimi i programit të ri politik, një proces ky që është i lidhur ngushtë me turin e "Dialogut me Shqipërinë". Kështu, socialistët kanë vendosur që përveç dialogut të hapur të vijojnë të mbledhin dhe tryezat e ekspertëve, për të renditur dhe përpunuar përfundimet e këtij dialogu në funksion të shkuarjes së programit. Për këtë qëllim, socialistët kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me ekspertë dhe parti simotra evropiane. Gjithashtu, pjesë e këtij kalendari janë dhe zhvillimi i zgjedhjeve për strukturat drejtuese të partisë në një sërë zonash dhe organizatash të ndryshme. Në planin politik të PS për gjysmën e parë të vitit janë edhe organizimi i strukturave të brendshme të partisë, si dhe zgjedhjet në Forumin e Gruas dhe FRESSH-it. Kryesia gjatë mbledhjes së djeshme ka diskutuar edhe për veprimtarinë e deritanishme të partisë dhe sidomos mbi ecurinë e jetës së saj parlamentare, ku natyrisht është vlerësuar roli i grupit parlamentar. Anëtarët e Kryesisë së PS-së miratuan dje dhe dy rregullore të brendshme, një që parashikon procedurat për votëbesim të të zgjedhurve në nivelet e forumeve drejtuese të partisë dhe tjetra për dokumentacionin. Kryesia ka diskutuar edhe për kuotizacionet e anëtarësisë, ku pasi ka analizuar gjendjen financiare të partisë, ka vendosur që të lërë në fuqi të njëjtat vlera.