E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedi ndaj enciklopedisë

Në botim të Instituti AlbShkenca të Prishtinës dhe Shkupit, doli nga shtypi libri ENCIKLOPEDIA E NDARJES. Fjala është për një vëllim me kumtesa të lexuara në Kumtesa të Tribunës shkencore të mbajtur në Prishtinë, më 7. 10. 2009, në temën: Marrëdhëniet shqiptare-maqedonase - konteksti i Enciklopedisë së Maqedonisë.

Me këtë vëllim akademikët shqiptarë iu patën përgjigjur akademikëve maqedonas me rastin e botimit të Enciklopedisë maqedonase.

Vëllimit i prinë kumtesa e Akademik Rexhep QOSJES, Paragjykimet e vjetra në kushte të reja, ndërsa më tej vinë kumtesat e studiuesve: Prof. dr. Shefki SEJDIUT, Paradigma, formë sistemore (argumentimi apo edhe përgënjështrimi) në trajtime shkencore; Prof. dr. Agim VINCËS, Enciklopedia e AMSHA-së dhe ardhmëria politike e Maqedonisë; Prof. asc. dr. Iljaz REXHËS, Vendbanimet dhe popullsia albane gjatë mesjetës në hapësirën e Maqedonisë së sotme (sipas burimeve sllave dhe osmane); Prof. dr. Qemal MURATIT, Enciklopedia maqedonase – një botim i mbushur me frymë thellësisht joshkencore; Prof. asc. dr. Begzad BALIUT, Marrëdhëniet shqiptare - serbe - maqedone, ndërmjet krimit dhe ndëshkimit.

Libri mbyllet me një Deklaratë të Institutit Alb-Shkenca, Prishtinë-Tiranë-Shkup. Instituti Albshkenca i Prishtinës dhe Shkupit, me këtë vëllim nuk pretendojnë t'iu ketë dhënë përgjigje të gjitha çështjeve të ngritura në Enciklopedinë maqedonase, përkundrazi, këtë vepër e konsiderojnë vetëm një shembull simbolik se si duhet reaguar ndaj institucioneve shkencore të popujve fqinj kur ato atakojnë kulturën materiale e shpirtërore të popullit shqiptar. Përurimi i vëllimit pritet të bëhet këto ditë në Prishtinë.

Albshkenca/pres

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›