Fatos Haxhiraj: Një skenë e vogël për Darkën e gabuar
Në të dytën konferencë shtypi, këtë radhë ajo që i paraprin premierës, regjisori Fatmir Haxhiraj foli sërish shumë pak mbi konceptin regjisorial të “Darkës së gabuar”. Dramatizimi i romanit të Ismail Kadaresë me të njëjtin titull do të ngjitet në skenë në datat 15 dhe 16 maj, ora 20:00 (shfaqjet e paralajmëruara në datat 13-14 maj nuk do të realizohen). Teksa ka falënderuar kastin e aktorëve për bashkëpunimin, të cilët përshkonin tej e tej skenën e teatrit në këtë prezantim para premierës, regjisori Fatos Haxhiraj e ka quajtur eksperimentale punën e tij mbi romanin e Kadaresë. “Unë mund të kisha zgjedhur edhe një dramë, por ky roman i shkruar jo për t’u vënë në skenë, ka një stil të veçantë, por ka edhe shumë vështirësi. Vendosa të punoja me të kur pashë se mund të bëhet një dramë e plotë ku edhe aktorët kanë ç’të luajnë”, ka theksuar Haxhiraj. Në fakt, kjo shfaqje ka shënuar disa rikthime. Regjisori do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar pas 20 vite shkëputjesh. Po ashtu, pas dhjetë vitesh mungesë, kthehet edhe aktori Artan Imami që në këtë pjesë luan rolin e hetuesit Shaqo Mezini. Pas disa refuzimeve, Ndriçim Xhepa do të interpretojë kolonelin gjerman Fritz Von Schwabe. Bujar Asqeriu do të sjellë Gurameton e Madh, ndërkohë që kasti vazhdon me të tjerë aktorë të karrierës por edhe të rinj si Ahmet Pasha, Naun Shundi, Anastas Kristofori, Mehdi Malka, Guri Koço, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Pirro Malaveci, Andon Qesari, Mërkur Bozgo, Sokol Angjeli, Gjergji Mena, Dritan Boriçi, Florian Kokona, Klodian Hoxha etj. “Pse jemi bashkuar në këtë pjesë? Sepse vepra është e mirë, është regjisor Fatos Haxhiraj dhe ka pasur një bashkëpunim mes aktorësh, me shumicën e të cilëve kemi lidhje të gjata. Për të vetmen gjë që kemi qenë xhelozë ndaj njëri-tjetrit, kanë qenë rolet e shumtë që secili prej nesh do të kishte dashur t’i luante”, ka thënë Artan Imami. E duke u ndalur te personazhet, regjisori ka theksuar se ka pasur herë pas here dyshime për portretizimin e tyre dhe është munduar të jetë preciz në përcjelljen e ideve që vet shkrimtari ka dashur t’u veshë personazheve. “Sigurisht që gjatë kohës së provave më është dashur t’i kthehem sërish romanit e po ashtu të takoj edhe shkrimtarin. Jam konsultuar edhe me aktorët dhe së bashku kemi vendosur të përfshijmë pjesë që unë më parë i kisha përjashtuar. Romani është një gjini që karakterizohet nga retrospektivat, kthime dhe kapërcime në të shkuarën e në të tashmen, prandaj duhet të ndërtosh shfaqjen në mënyrë të tillë që ngjarjet të mos kërcasin”, ka specifikuar regjisori. Sigurisht edhe vet Haxhiraj, ashtu siç është bërë më parë me romanet, nuk i ka parë tërësisht të shkëputura “Kronikë në gur” dhe “Darka e gabuar”. “Këto janë dy vepra që lidhen me njëra-tjetrën e njëkohësisht janë romane të mëvetësishme”, thotë ai duke nënkuptuar se kjo e ka ndihmuar për të krijuar sfondin e nevojshëm historik të ngjarjes. Përveç skenografisë së Taulant Pustinës që të jep idenë e qytetit të gurtë dhe kostumografisë së Durim Nezirit, atmosferën e atyre viteve që paraprinë diktaturën, regjisori shprehet se do ta plotësojë më së miri edhe kompozimi i Ardit Gjebresë. Nga ana tjetër, regjisori nuk mund të mos shfaqë shqetësimin për kushtet teknike. “Do të kemi vështirësi për vënien e shfaqjes. Skena është e vogël për një shfaqje të tillë e po ashtu ndriçimi nuk është më i miri”, shprehet regjisori, i cili ngut të kopsisë elementët e fundit të shfaqjes.
#