Enciklopedia e Shkupit shqyrtohet nga BE-ja
Bashkimi Europian ka marrë në shqyrtim enciklopedinë e re të hartuar nga Akademia e Shkencave në Maqedoni dhe së shpejti mund të kërkojë informacione shtesë mbi të. Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë maqedonase, të cilat iu referohen burimeve nga Brukseli. Kërkesa e BE-së mund të bëhet para se të publikohet progres-raporti i KE-së për Maqedoninë. Lidhur me këtë çështje ka reaguar ashpër Ambasada e SHBA-ve në Shkup, e cila i ka konsideruar të neveritshme pretendimet e enciklopedisë së publikuar të mërkurën e kaluar në Maqedoni. “Pretendimet se oficerët amerikanë kanë trajnuar ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë të pabaza dhe neveritëse”,- ka thënë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, një zyrtar i kësaj ambasade. “Jemi të zhgënjyer se ka institucione që vënë emrin e tyre pas pretendimeve të tilla qesharake”,- thekson i njëjti burim. Enciklopedia është kundërshtuar edhe nga partitë politike shqiptare në Maqedoni. Botimi i saj konsiderohet si “kërcënim i kushtetutës dhe karakterit shumë etnik të Maqedonisë”, si dhe nxitëse e urrejtjes ndëretnike. Politikanët mbështetën një deklaratë të lëvizjes qytetare “Zgjohu”, ku bëhet thirje që të tërhiqet botimi i enciklopedisë si dhe qeveria, si financuese, të distancohet prej saj. Por redaktori i enciklopedisë thotë se në asnjë mënyrë ajo nuk do të tërhiqet nga qarkullimi. Organizatat joqeveritare dhe partitë kryesore shqiptare opozitare dhe në pushtet u bënë një në reagimet kundër botimit të enciklopedisë Maqedonase.
23 Shtator 2009