E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, liderët e 6 partive kryesore në garë televizive



Blerina Olldashi
Udhëheqësit e 6 partive kryesore greke, për tre orë e gjysmë u janë përgjigjur pyëtjeve të gazetarëve, nga studioja e televizionit shtetëror grek. Qëllimi i secilit prej tyre ishte që të fitonin votat e rreth 20 për qind të grekëve të pavendosur, duke shprehur pikëpamjet e tyre në pyetjet për ekonominë, politikën e jashtme, qeverisjen e vendit, arsimin, marrëdhëniet e punësimit dhe sigurimet shoqërore. Kryeministri Kostas Karamanlis në këtë diskutim publik u shpreh se duhet të shtohen përpjekjet për të përballuar problemin shtetëror financiar sa më shpejt.
“Rruga e përgjegjësisë, rruga e përpjekjes për të përballuar problemin struktural të financave shtetërore e që kryesisht shprehet tek borxhi i madh shtetëror, duhet të shpejtohet, të shtrohet për zgjidhje, të ketë prioritet menjëherë”,- tha Karamanlis. Ndërsa kryesocialisti Jorgos Papandreu pas hedhjes së akuzave ndaj rivalit të tij për marrëdhëniet klienteliste të qeverisë konservatore dhe për mostransparencën, fakte që kanë çuar në humbjen e fondeve të BE-së, ka shpallur moton e partisë së tij nëse vjen në pushtet. “Po bëhemi gati. Programi ynë është një program që ka dy boshte; nikoqirllëk dhe zhvillim e ritëm ekonomik nga ana tjetër”,- u shpreh Papandreu, kryetar i PASOK-ut. Sipas tij, Greqia do të vazhdojë të ruajë veton ndaj Maqedonisë nëse socialistët do të qeverisin pas 4 tetorit, në rast se Shkupi nuk bie dakord për një emër sintezë me përcakim gjeografik dhe përdorim nga të gjitha palët, është shprehur Papandreu. “Ne kemi qënë ata që kemi vendosur “vijën e kuqe”, kemi mbështetur edhe qeverinë në këtë pozicionim dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe më tej”,- theksoi më tej ai. Ndërkohë udhëheqësi i ultranacionalistëve greke Jorgos Karaxhaferis, sërish ka insistuar për dëbimin e shumicës së emigrantëve të huaj nga Greqia, duke theksuar madje se nuk duhet që 80 për qind e emigrantëve të jenë nga i njëjti vend, duke nënkuptuar në mënyrë të qartë Shqipërinë. Edhe kur i është referuar politikës me fqinjët, udhëheqësi i partisë LAOS nuk ka lënë pa përmendur edhe Shqipërinë. “Nuk jemi Luksemburgu që ka fqinje Belgjikën, Francën dhe Gjermaninë. Jemi Greqia që ka fqinje: Shqipërinë, Turqinë, Maqedoninë, ku ka akoma njerëz që kanë pretendime në kurriz të vendit tonë”,- u shpreh Karaxhaferis. Por debati mbi zgjedhjet nuk përfundoi me kaq. Mbasdite, në një debat të dytë televiziv përballë gazetarëve u shfaqën dy rivalët për pushtet Karamanlis dhe Papandreu.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›