E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia famëkeqe “lëkund” koalicionin

Enciklopedia maqedonase e botuar javën e kaluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) vazhdon të shkaktojë tensione dhe përkeqësime në raportet e koalicionit qeveritar mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

Nga burime të larta qeveritare mësojmë se në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën mbrëma ka mbretëruar atmosferë tejet e tensionuar mes kryeministrit Nikolla Gruevski nga njëra anë dhe ministrave të BDI-së nga ana tjetër, për shkak të enciklopedisë famëkeqe. Nuk kemi arritur të mësojmë se çfarë akuzash ka pasur në adresë të Gruevskit, apo nga ky i fundit në drejtim të ministrave të BDI-së, mirëpo mësojmë se Gruevski pas pak kohe ka braktisur seancën duke e lënë atë që ta udhëheqë Zëvendëskryeministri Zoran Stavrevski.

BDI-ja konteston 50 dispozita në këtë enciklopedi duke kërkuar njëherësh që akademiku Bllazhe Risteski të japë dorëheqje nga funksioni redaktor kryesor në Enciklopedinë maqedonase, pasiqë ai paralajmëroi se në botimin e korrigjuar nuk do të bëhen korrigjime të mëdha në dispozitat të cilët janë ofenduese për shqiptarët. Përveç reagimeve të ashpra ndaj ASHAM-it, BDI-ja edhe më tej insiston që edhe Qeveria të distancohet nga pjesët kontestuese në Enciklopedi me çka kanë filluar të përkeqësohen marrëdhëniet në koalicinonin qeverisës me VMRO-DPMNE-në.

BDI-ja kërkon tërheqjen e tërësishme të enciklopedisë dhe formimin e një një këshilli të ri redaktues në të cilin akademikë dhe profesorë shqiptarë do të marrin pjesë në përgatitjen e dispozitave që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ndryshe, deri më tani kryeministri Gruevski dhe institucionet shgtetërore nuk janë distancuar nga Enciklopedia e cila shtrembëron historinë e shqiptarëve dhe ofendon popullin shqiptar me gjuhën e urrejrtjes.

Edhe përskaj reagimeve të ashpra nga faktori politik shqiptar, intelektual dhe ai civil në Maqedoni, si dhe nga SHBA-të, Britania e Madhe dhe nga vendet fqinje si Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria akademikët maqedonas mbeten edhe më tej në qëndrimin se në enciklopedinë maqedonase duhet bërë vetëm disa korrigjime por assesi tërheqje të saj, gjë me të cilën nuk pajtohen shqiptarët. (INA/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›