E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia maqedonase nuk ndryshon, thjesht ‘sqaron’

 Në enciklopedinë e re maqedonase, Skënderbeu do të mbetet me origjinë sllave dhe Nënë Tereza me origjinë vllahe. Strategjia e re e Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve (ASHAM) lidhur me hartimin e Enciklopedisë së re nuk do të ketë asnjë botim të ri të librit të kontestuar fort nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët për historinë e etnive, por vetëm  disa ndryshime në një vëllim. Ndryshimi “i premtuar” pas fyerjeve ndaj shqiptarëve ka të bëjë vetëm me botimin e një forme shtojce në edicionin e kaluar. Të paktën kështu do të jetë, sipas burimeve të agjencisë INA nga ASHAM. Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase nuk do të lejojë që historianë dhe akademikë të shquar të historiografisë shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova të jenë pjesë e as të konsultohen për hartimin e Enciklopedisë së re. Kjo është vendosur në një prej mbledhjeve të fundit të kryesisë së ASHAM, ku është diskutuar rreth formimit të Redaksisë së re, pohojnë burime të brendshme nga ky institucion për agjencinë INA. Veç kësaj, vendimi tjetër skandaloz që pritet të miratohet nga ASHAM dhe Këshilli Redaktues është se, Enciklopedia e re do të botohet vetëm në formë të një shtojce të edicionit të kaluar, ku ishin pjesët e kontestuara për historinë e shqiptarëve dhe për bashkësinë ndërkombëtare, si dhe shtrembërimet dhe qasja tendencioze gjatë pasqyrimit të së vërtetës për shqiptarët në Maqedoni dhe më gjerë. “Po shqyrtohet mundësia që versioni i Enciklopedisë së parë maqedonase të mbetet ashtu si ishte dhe që, për shkak të mungesës së buxhetit dhe kushteve të tjera, Këshilli i ri redaktues të angazhohet vetëm për botimin e vëllimit që ka të bëjë me pjesët e kontestuara dhe shtrembëruara”, theksoi një burim brenda ASHAM, i cili gjithashtu pohoi se edhe emërtimi i botimit shtesë të Enciklopedisë me gjasë do të titullohet ‘Enciklopedia Maqedonase’. Akademiku shqiptar, Alajdin Abazi, që është anëtar i rregullt i ASHAM, nuk i ka komentuar këto pohime, por ka theksuar se gjatë këtyre ditëve do të vazhdojnë konsultat për çështjen e enciklopedisë. “Këto ditë do t’i sqarojë të rejat më të fundit lidhur me çështjen e enciklopedisë”, ishte përgjigjja e Abazit, pa dhënë hollësi të tjera. Në Këshillin e ri redaktues janë siguruar vendet për dy anëtarë shqiptarë të tij, njëri ndër të cilët do të jetë Alajdin Abazi, për shkak se është anëtar i rregullt i ASHAM. Pritet që ai të jetë koordinator i projektit për pjesët që ndërlidhen me historinë shqiptare, megjithëse bashkë me të do të angazhohen vetëm historianët nga Maqedonia, për shkak të ndalesës së pjesëmarrjes për historianë nga Kosova dhe Shqipëria. Gjithashtu, ASHAM nuk ka kërkuar ende asnjë bashkëpunim eventualë nga akademitë në Prishtinë dhe Tiranë për grumbullimin e materialeve arkivore e shkencore rreth historisë shqiptare. Enciklopedia e parë maqedonase u botua në shtator me shtrembërime skandaloze të historisë së shqiptarëve, duke ngjallur reagime të ashpra në të gjithë Ballkanin, madje edhe nga SHBA dhe BE. Teksti ishte mbështetur fort dhe financuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, i cili po ndërmerr vazhdimisht politika që prekin interesat e shqiptarëve në Maqedoni, që përbëjnë mbi 25 për qind të popullsisë.      (INA, Express)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›