E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, në hetim pesë komunarë fiktivë, dëm shtetit 20 milionë

 ELBASAN - Pesë punonjës të komunave të ndryshme në qarkun e Elbasanit janë nën hetim nga ana e Prokurorisë pasi akuzohen se i kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik buxhetit të shtetit shqiptar. Lajmi konfirmohet nga kreu i këtij institucioni Elvin Gokaj. Ai ka pohuar se prej afro 2 muajsh kanë nisur hetimet për një grup personash që deri më sot figurojnë pjesë e strukturave të komunave të ndryshme në qarkun e Elbasanit dhe vijojnë të paguhen normalisht në çdo fund muaji, edhe pse nuk paraqiten asnjë ditë në punë sepse ndodhen jashtë Shqipërisë. Verifikimi për këta persona është kryer ditë më parë nëpërmjet sistemit kufitarë, i cili tregon qartë hyrjet dhe daljet e këtyre pesë personave që janë nën hetim. Në fakt një hetim të ngjashëm Prokuroria e Elbasanit kishte nisur kohë më parë dhe për një grup nxënësish të shkollës së mesme “Qemal Stafa” në sistemin e korrespondencës, të cilët i merrnin provimet pa u paraqitur në provim se ndodheshin jashtë vendit. Prokurori i rrethit ka shtuar se brenda këtij muaji kjo çështje do të zbardhet plotësisht dhe do të dërgohen në gjykatë për masë arresti të gjithë personat abuzues. Mësohet se do të merren masa, sipas ligjit, edhe për 3 krerë komunash, veprimet e të cilëve i kanë shtetit një dëm që mendohet të arrijë deri në 20 milionë lekë. Emrat e personave që janë nën hetim nga ana e prokurorisë nuk bëhen të ditur, madje as komunat në të cilat ndodhen këto, pasi shumë shpejt për ta do të bëhet komunikimi zyrtar i akuzës.                    a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›