E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas forcimit të dollarit rritet me 2 lekë çmimi i naftës

 Forcimi i dollarit në bursën ndërkombëtare po jep efektet e tij në çmimin e karburanteve, të cilët janë shtrenjtuar gjatë ditëve të fundit. Situata rrjedhimisht është e lidhur me zhvlerësimin e lekut karshi monedhës amerikane, bëjnë të ditur importuesit. Kjo konfirmohet në pikat e tregtimit të karburantit, ku nafta dhe benzina janë shtrenjtuar me rreth 2 lekë për litër gjatë ditëve të fundit. Kjo ka dhënë sinjalet e para për atë që paralajmërojnë specialistët, lidhur me një rritje të mëtejshme të çmimit. Në fakt specialistët këtë rritje çmimi ia delegojnë dy faktorëve. I pari është forcimi i pozitave të dollarit në tregun valutor ndërkombëtar, çka shtrenjton blerjen e arit të zi. Duke ju referuar disa ditëve më parë, një dollar amerikan u shkëmbye me 101 lekë, ndërkohë që rritja e monedhës amerikane ka qenë graduale edhe në bursat ndërkombëtare prej disa kohësh duke u forcuar edhe karshi euros. çdo rritje e dollarit ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e kostos së naftës dhe sigurisht edhe të çmimit të kësaj të fundit, theksojnë importuesit. Sipas tyre, nga maji i vitit të kaluar e deri në shkurt të këtij viti, çmimi i naftës ka shënuar një rritje me rreth 12-13 dollarë për ton. Për sa i përket parashikimeve, specialistët shprehen se rritja e çmimit të naftës do të rritet në tregjet ndërkombëtare dhe Shqipëria nuk do të bëjë përjashtim si pjesë e vendeve importuese. Një fuçi nafte, e cila ishte brenda kuotave të 70-80 dollarëve mund të shkojë në 80-90 dollarë për fuçi në verë. Por duke e lënë mënjanë këtë forcim të dollarit, një tjetër faktor në rritjen e çmimit të karburanteve, që ngrihet nga specialistet si shqetësim, është i lidhur gjeografikisht me portin e Porto Romanos në vendin tonë. Si i vetmi vend ku shkarkohen karburantet, shpesh vonesat me të cilat veprohet dhe ankorimi i tejzgjatur i anijeve që mbajnë karburantet rrit artificialisht koston. Një zgjidhje e kësaj situate, sipas specialistëve, do të bënte të mundur edhe uljen e kostos së naftës që importohet çka ndikon direkt në çmimin e shitjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›