Plani buxhetor i Papandreut paralizon shërbimet publike
Mijëra punonjës të shërbimeve publike në Greqi kanë nisur një grevë 24-orëshe kundër planit të Qeverisë për të ulur defiçitin e lartë buxhetor. Qeveria greke ka propozuar ulje të pagave dhe të pensioneve dhe rishikim të taksave për të arritur synimet e veta ekonomike. Shkollat dhe spitalet janë mbyllur. Këto të fundit funksionojnë vetëm për emergjencat. Të gjitha fluturimet janë pezulluar. Në platformën e tij elektorale, kryeministri grek, Jorgo Papandreou, tha se Qeveria e tij do të hidhte të gjitha hapat e nevojshëm për uljen e deficitit buxhetor gjatë këtij viti. Mësuesit, punonjësit e hekurudhave, doganierët, mjekët dhe infermieret janë pjesëmarrës në grevën e organizuar nga sindikata kryesore e punonjësve të sektorit publik, duke paralizuar kështu jetën e sektorit publik. Qeveria e drejtuar nga socialistët shpalli të martën plane për të rritur moshën e pensionit, gjë që do të kursente para për pensionet. Sipas kryeministrit, Jorgo Papandreu, ka deklaruar për mediat se detyra parësore e Qeverisë së tij është shpëtimi i ekonomisë dhe pakësimi i borxhit publik duke mbrojtur njëkohësisht klasën e mesme dhe atë me të ardhura më të ulëta. Zyrtarët e Bashkimit Evropian shqetësohen se kriza financiare greke do të ndikojë negativisht mbi vlerën e Euros, monedha që përdoret nga 16 vende anëtare të BE-s. Tregjet financiare dhe politikanët në mbarë Evropën janë duke e ndjekur me vëmendje situatën në Greqi. Megjithëse punonjësit e sektorit publik në Greqi ankohen se punëtorët e paguar më pak do të vuajnë, ndërsa të pasurit i shmangen taksave pa u ndëshkuar.