E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedia maqedonase, struganët: Do të djegim çdo kopje

Enciklopedia nuk do të ekzistojë më në njësitë e shitjes të paktën në qytetin e bukur të Strugës ku popullohet në shumicë nga shqiptarët, por dhe etni të tjera.


Vetë kryetari i komunës Strugë, Merko, thotë se është vendosur një fond i posaçëm nga ana e komunës që ai drejton, për të blerë në treg të gjitha enciklopeditë dhe për të mos lejuar që shpifjet e saj të shiten sikur asgjë të mos ketë ndodhur


STRUGË - Enciklopedia maqedonase ka provokuar shqiptarët në qytetin turistik të Strugës në Maqedoninë fqinje, vetëm 5 kilometra nga kufirit shqiptar. Teksa udhëton nga Qafë-Thana drejt qytetit që shtrihet përgjatë liqenit të Ohrit, por që nuk mund të kuptohet kursesi pa brigjet e Drinit të Zi, ndalesh në Strugën e lashtë.


Ndërtuar bukur me godinat karateristike të arkitekturës qytetare, qyteti i Strugës njihet për mikpritjen që u rezervon mysafirëve. Në mënyrë të veçantë atyre që vijnë nga atdheu amë, Shqipëria, ku gjithçka merr një tjetër ndjeshmëri.


Çdo bisedë e ditëve të fundit për shqiptarët e Strugës lidhet me enciklopedinë që ata e quajnë të turpshme dhe që i ka krijuar shqetësimin më të madh që ata kanë pasur ndonjëherë me maqedonasit apo të ashtuquajtur akademikë të këtij shteti.


Duket se historia e kësaj enciklopedie ka sjellë mjaft tension, teksa nga ana tjetër shqiptarët e këtij qyteti janë gati në startin e revoltave në emër të ofezës kombëtare që i kanë bërë identitetit të tyre. Drejtuesit lokalë të institucioneve, ashtu si dhe vetë banorët e këtij qyteti të hershëm shqiptar, ndihen të fyer për këtë skandal që lidhet me cilësimet ndaj tyre nga akademikët maqedonas.


Vetë kryetari i komunës Strugë, Ramiz Merko, në një prononcim të posaçëm për gazetën "Shekulli" ka kërcënuar se do të digjet në mënyrë simbolike në mes të Strugës një enciklopedi, për të thënë se shqiptarët janë autoktonë dhe se shpifjet që vijnë nga trillet e Akademisë së Shkencave maqedonase kanë për qëllim të trazojnë bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe etnive të tjera në shtetin e brishtë të Maqedonisë.
"Botimin e enciklopedisë e kanë pritur me indinjatë si institucionet në Strugë, udhëheqësit e tyre dhe e gjithë popullata.

Akademia e Shkencave në Maqedoni ka provokuar, duke nxitur të njëjtën gjë edhe në vitin 2008. Kjo është një sjellje dashakeqëse ndaj popullsisë autoktone shqiptare. Nga kjo të gjithë jemi në një eufori, duke u nisur nga studentët e Strugës, drejtuesit e institucioneve dhe të gjithë banorët.


Pseudoakademikët kanë bërë më të keqen, duke lëkundur marrëdhëniet e mira ndëretnike në një qytet si Struga", ka pohuar gjatë fjalës së tij kryetari i komunës, Ramiz Merko.

Struganët janë duke e vazhduar jetën e tyre, por të tronditur nga ajo që ka ndodhur veçse pak ditë më parë, kur në treg ka dalë dhe enciklopedia që i etiketon shqiptarët si ardhacakë të zbritur nga mali dhe që kanë zaptuar shtëpitë e vendasve.


Në fakt, enciklopedia nuk do të ekzistojë më në njësitë e shitjes të paktën në qytetin e bukur të Strugës ku popullohet në shumicë nga shqiptarët, por dhe etni të tjera. Vetë kryetari i komunës Strugë, Merko, thotë se është vendosur një fond i posaçëm nga ana e komunës që ai drejton, për të blerë në treg të gjitha enciklopeditë dhe për të mos lejuar që shpifjet e saj të shiten sikur asgjë të mos ketë ndodhur.


"Nga ana jonë kemi kërkuar të tërhiqet e plotë e gjithë enciklopedia për t'u qetësuar dhe për të mos nxitur urrejtjen. Ne nuk mund të pranojmë atë si një vepër akademikësh. Kemi dalë tashmë me një qëndrim përsa i përket Strugës se kudo që të ndodhet një libër i tillë do të digjet, madje edhe nga unë personalisht.


Ndaj në një grup pune të ngritur për këtë çështje, iu kam kërkuar intelektualëve, publicistëve dhe njerëzve të njohur të qytetit tone, duke shpenzuar dhe të holla për ta blerë këtë enciklopedi dhe për ta djegur publikisht në mes të Strugës",- ka nënvizuar Merko.


Ndonëse mes drejtuesve shqiptarë në Maqedoni dhe përfaqësuesve të qeverisë Gruevski është arritur një marrëveshje për enciklopedinë që ka shpërthyer deri dhe revolta në të gjitha qytetet shqiptare në vendin fqinj, vetë drejtuesit lokalë shqiptarë në Strugë janë skeptikë.

Ata tregojnë se provokime të tilla janë bërë edhe më parë, ndërsa ky është edhe më i rëndi për shqiptarët. Studentët e Strugës janë në përgatitje të një proteste masive, ndërsa nga ana tjetër intelektualët shqiptarë, studiues dhe publicistë janë duke kërkuar çdo tekst kudo që shitet ai.


Ramiz Merko, kryetari i komunës në mandatin e tij të dytë në Strugë, tregon se do të djegë personalisht enciklopedinë që synon të nxisë një situatë të rëndë deri dhe të prishjes përfundimtare të marrëdhënieve mes komuniteteve në një qytet ndëretnik si ai i Strugës, që qeveriset suksesshëm nga shqiptarët. Sipas tij, kjo enciklopedi është e dëmshme për marrëdhëniet ndëretnike dhe e papranueshme për shqiptarët kudo që janë.


Me këtë presion dhe me këtë "luftë" të shpallur nga studiuesit historianë maqedonas, janë duke kapërdirë me dhimbje ditët e tyre struganët, të cilët nuk janë duke u quajtur më shqiptarë autoktonë, ashtu siç e tregojnë fakte të njohura historike, por "ardhacakë barbarë".


Situata duket më shumë se e rëndë në këtë qytet shqiptarësh, por dhe komunitetesh të tjera, përgjatë Ohrit dhe Drinit të Zi, ndërsa jeta duket sikur është ndalur derisa dinjiteti i tyre i nëpërkëmbur të vihet në vend. Nëse luhet me kombin dhe identitetin e tyre, kjo është një fatalitet që nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, ndonëse fabrikohet qëllimisht nga një Akademi Shkencash që tanimë ka vënë në një pikëpytje dhe qëllimin real të saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›