E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangosen dy të kërkuar në Kakavijë

KAKAVIJË- Dy persona, të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë ndaluar ditën e djeshme në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës.


Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 25-vjeçari, Saimir Tafa nga Memaliaj, është ndaluar, sapo u kthye nga Greqia, në momentin që është paraqitur në sportelin e përpunimit të shtetasve.


Mësohet se vitin e kaluar Gjykata e Apelit në Gjirokastër e ka deklaruar 25-vjeçarin fajtor për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit" dhe e ka dënuar në mungesë me 8 muaj heqje lirie.


"Ky shtetas në vitin 2008, ka ndihmuar për të kaluar kufirin e gjelbër për në shtetin grek, në mënyrë të paligjshme, 4 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit, kundrejt fitimit 1500 euro për person dhe pas këtij veprimi ky shtetas është larguar në shtetin grek", thuhet në deklaratën zyrtare të policisë, në lidhje me këtë ndalim. Ndërkaq, pak orë pas ndalimit të parë, një tjetër shtetas ka rënë në prangat e policisë po në Kakavijë.


19-vjeçari Viktor Tota, me banim në Bathore, Tiranë, figuronte në listën e shtetasve të shpallur në kërkim për akuzën e "vjedhjes". "Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 45 ditë burg për veprën penale të "vjedhjes", kanë bërë të ditur burimet policore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›