Enciklopedia, protesta në Tiranë para ambasadës
Dhjetëra qytetarë në Tiranë kanë protestuar kundër enciklopedisë së publikuar pak ditë më parë në Maqedoni, në të cilën shqiptarët përkufizohen si të ardhur në Maqedoni dhe uzurpues të shtëpive të vendasve. Pasditen e djeshme qytetarët të organizuar nga grupimi "Tifozët Kuqezinj" u mblodhën përpara ambasadës së Shkupit në vendin tonë, ku hodhën parulla kundër dokumentit të botuar në vendin fqinj. "Veç një Shqipëri etnike dhe kurrgja tjetër", ishte banderola e vendosur nga protestuesit përballë ambasadës. Ndërkohë edhe ministria e Jashtme greke ka reaguar dje ndaj publikimit të enciklopedisë maqedonase, duke vlerësuar se "nuk e habit kjo përpjekje e re e IRJM-së për të shtrembëruar historinë". Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Gregori Delavekuras, tha për mediat greke se "Qeveria e zotit Gruevski në mënyrë sistematike promovon jotolerancë dhe nacionalizëm. Zoti Gruevski tentoi ta përmirësojë imazhin e tij në politikën e brendshme, duke shpikur armiq të shtetit dhe duke i përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët", tha zëdhënësi i Dora Bakojanisit. Zëdhënësi Delavekuras shtoi se "kryeministri i IRJM-së është thjesht i pa interesuar për kriterin kryesor për përparimin e vendit të tij drejt BE-së, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore duke krijuar kushte për jostabilitet rajonal". Nga enciklopedia janë fyer shqiptarët në të gjithë rajonin dhe bullgarët. Sofja, Tirana dhe Prishtina kanë reaguar kundër saj. Mediat në Bullgari kanë kujtuar Maqedoninë se me këtë hap po rrezikon lejimin e hapave të mëtejshëm për anëtarësimin nën BE. "Nëse Maqedonia nuk do të arrijë të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave me BE, shkaku do të jetë marrëdhënia e keqe me vendet fqinje", ka shkruar gazeta "Vreme", duke cituar burime të mirë informuara në Bruksel. Marrëdhënia me vendet fqinje mund të jetë argumenti kryesor i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, që të mos japë miratimin që Maqedonia të fillojë negociatat, pavarësisht se raporti i KE mbi përparimin e Maqedonisë ishte pothuajse pozitiv. "Brukseli ka dhënë shenja të ftohjes së optimizmit, kur u diskutua për liberalizmin e regjimit të vizave për maqedonasit. Sipas vlerësimeve aktuale të Brukselit, Maqedonia ka probleme të mëdha në marrëdhëniet me vendet fqinje", citon gazeta.