Basha: Të blindojmë kufirin për liberalizimin e vizave
Etleva Delia
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inspektoi dje sallën operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, për të parë nga afër punën e policisë në monitorimin e hyrje-daljeve në kufi. Qëllimi i inspektimit të Bashës ka qenë verifikimi i ecurisë së procesit të zbatimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit. Qendra operacionale ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, ka nisur punën në fillim të këtij muaji. Salla mbledh të dhëna nga 26 pikat kufitare të vendit, përgjatë 24 orëve. Brenda muajit tetor edhe në pesë pika kufitare të vendit, të cilat janë pikat kufitare të izoluara, do të instalohet sistemi TIMS, një sistem i cili bazohet në përvojat e Bashkimit Evropian. Ky sistem do të ndërlidhet, pra do të ketë Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale. Gjithashtu ky sistem do të plotësohet më shumë edhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX dhe me atë të kontrollit të kufirit detar. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u shpreh pas inspektimit se modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë Berisha për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrirë në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit. “Ky proces ka të bëjë me një objektiv madhor siç është liberalizmi i vizave, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë të ruajtjes dhe sigurisë së kufirit”, është shprehur Basha. Në sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, por edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit. Ministri Basha tha gjatë inspektimit se integrimi i këtyre sistemeve do të pajisë Shqipërinë me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, për ruajtjen e kufirit me praktikën më hermetike të goditjes së krimit ndërkufitar.