E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia, reagon Kosova: Përmban frymë antishqiptare

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka reaguar për Enciklopedinë maqedonase e cila fyente kombin shqiptar. Përmes një deklarate për shtyp Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës thekson se kjo enciklopedi përmban frymë dhe përmbajtje antishqiptare, e me këtë implikon zhvillime të mëtejme jo vetëm për rrethanat kulturore e shkencore në Maqedoni e në rajon, po edhe për zhvillimet ndëretnike. Shpërdorimi i Enciklopedisë dhe enciklopedizmit për llogari të paragjykimeve etnike mund të jetë vetëm rezultat i urrejtjes dhe të mbjellë urrejtje", thuhet në deklaratën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Gjithashtu ASHAK thekson se ka besuar se qëndrimet antishqiptare të një pjese të Akademisë Maqedonase kishin marrë fund para disa vitesh me largimin e ish-Kryetarit të saj që kishte kërkuar ndarjen e vendit dhe shpërngulje të popullatave.
Sipas ASHAK-së, veprimet primitive të shtrembërimit të së kaluarës së popullit shqiptar, të përvetësimit të trashëgimisë së tij dhe të popujve të tjerë për ta madhëruar historinë e vet, e të ngjashme, flasin për shkallën në të cilën është katandisur kjo pjesë e shkencës në Maqedoni, që të kujton frymën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›