E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama pritet të takohet me Abbasin dhe Netanjahun

Presidenti amerikan, Barack Obama, do të takohet të martën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu dhe me liderin palestinez, Mahmoud Abbas, për të "përgatitur terrenin për një rifillim të bisedimeve" në Lindjen e Mesme, njoftoi dje Shtëpia e Bardhë.
Ky takim tripalësh do të "paraprihet" nga takime dypalëshe mes presidentit Obama dhe secilit prej dy liderëve, përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, saktëson presidenca amerikane në një komunikatë. Samiti do të përpiqet të "përgatisë terrenin për një rifillim të bisedimeve dhe për krijimin e një konteksti të favorshëm që do të mundësojë suksesin e bisedimeve", thuhet në komunikatë, ndërsa emisari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, George Mitchell, u kthye duarbosh të premten nga një mision katërditor në rajon.
Mitchell u përpoq më kot ta bindte Netanjahun për ndalimin e kolonizimit në Cisjordaninë e pushtuar për të mundësuar rifillimin e negociatave të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, të ndërprera pas sulmit izraelit kundër Rripit të Gazës dhjetorin e kaluar, dhe u largua në fshehtësi nga Izraeli pa bërë as njoftimin më të vogël. Ish-senatori, që konribuoi për kthimin e paqes në Irlandën e Veriut në vitet '90, vlerësoi se zhvillimi i këtij samiti tripalësh tregon "angazhimin e thellë në favor të një paqeje globale" në Lindjen e Mesme të presidentit Obama.
Angazhimi personal i presidentit të Shteteve të Bashkuara bëhet në momentin kur "ne po vazhdojmë përpjekjet për të inkurajuar të gjitha palët të marrin përgjegjësitë e tyre në favor të paqes dhe për të krijuar një klimë të mirë për rifillimin e negociatave", tha ai. Katërshja për Lindjen e Mesme, që përfshin SHBA-në, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe OKB-në parashikon gjithashtu të zhvillojë bisedime në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›