Xhani, rrëmben vendin e dytë dhe dashurinë e tifozëvve

Albania-sport - Albert Xhani, presidenti dhjetraherë i polemizuar i ultrasve të kuq, duket se po fiton një bast të cmuar me "kundërshtarët" e tij të përhershëm, tifozët e tij. Partizani që para rifillimit të pjesës së dytë të sezonit nuk kreu thuajse aspak merkato (vetëm disa regjistrime emrash afrikanësh që nuk erdhën kurrë në Shqipëri), pas dy fitoreve rresht e sheh veten në vend të dytë, duke qenë edhe një nga pretendentët kryesorë për ekipin e parë shqiptar të zonës UEFA.
"Jam i gëzuar për fitoren, por ajo dua të theksoj është se ajo i shërben tifozëve. Unë i konsideroj të ligjshme protestat e tyre, përsa kohë ato nuk degjenerojnë në akte jo normale. Prania e tyre në stadium, edhe pse ndonjëhere e pakët më frymëzon për të rritur investimet. Kupa UEFA më pranë? Është një nga objektivat tanë, por nuk duhet harruar se jemi në valle edhe për Kupën e Shqipërisë", u shpreh në linjë telefonike për Albania-sport.com, presidenti i Partizanit, Albert Xhani.
Mjaftoi një gol i zgjuar i mesfushorit Paulin Dhëmbi në të 14' (dy gola kundër Kastriotit në dy takime direkt), që shfrytëzoi një pasiguri të pafalshme të portierit të Kastriotit, Kocit, për të rrëmbyer tripikëshin e artë të një takimi që pati rivalitet. Në pjesën e dytë, trajneri Hasan Lika hodhi në fushë edhe talentin Enco Malindi, që dha një pas të artë për Elis Bakaj, por lojtari tjetër i Shpresave reagoi me vonesë.
Fitorja me Kastriotin (1-0), me të cilin barazoi në fazën e parë në Krujë (2-2), ishte e nënta në kampionat dhe e 7 me Kastriotin në 11 përballje direkt. Kastrioti i Petrit Haxhisë, po vuan tmerësisht shumë largimin e disa prej futbollistëve titullarë me të cilët përballoi pjesën e parë të kampionatit.
Në javën e ardhshme, Partizani do të udhëtojë në Shkodër, ku do të përballet me Vllazninë e vendit të katërt, ndërsa Kastrioti do të preë në shtëpi Apoloninë, me të cilën e ndajnë vetëm një vend, por gjashtë pikë.
PARTIZANI-KASTRIOTI 1-0
1-0, Paulin Dhembi 14'