Ende e paqartë situata në Urën Vajgurore
Mjekët e Beratit kanë vënë nën kontroll gjendjen e pacientëve me diarre dhe të vjella nga një lagje e Urës Vajgurore, por frika e ndonjë epidemie, që mund të kapërcejë kufijtë e një lagjeje, mbetet e pranishme. Sipas Petraq Cecës, shefit të repartit infektiv në spitalin e Beratit, fakti që mbi tridhjetë të sëmurë vijnë nga e njëjta zonë, nga lagja "Guri i Bardhë" i Urës Vajgurore, të bën të dyshosh për ndonjë epidemi, por përgjigjen më të saktë do ta japë Drejtoria e Higjienës. Mjeku thotë se gjendja e pacientëve është nën kontroll. Edhe mjekja pediatre Flora Gjoni ka pohuar se ka dyshime për epidemi, por nuk dihet ende se cili është virusi që ka prekur rreth 30 persona nga Ura Vajgurore. Drejtori i spitalit të Beratit, Neritan Vito, ka marrë të gjitha masat për të përballuar edhe fluks më të madh në çdo moment. Vito ka pohuar se është Drejtoria e Shëndetit Publik ajo që do të konfirmojë nga se është shkaktuar kjo situatë. Në Drejtorinë e Higjienës është vënë në lëvizje i gjithë stafi, pasi zona e dyshuar për epidemi është e njëjta ku u identifikua vatra e epidemisë së kolerës në vitin 1994.