E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ra foshnja nga shkallët, hetim nënës

Një nënë e re do të ndiqet penalisht për mungesë kujdesi. Plagët që ka marrë një foshnje 8-muajshe, pasi së ëmës i ka shpëtuar nga dora karroca në të cilën rrinte, janë bërë objekt i punës së Prokurorisë së Durrësit. Nëna e re, përveç dhimbjes që ka ndjerë për fëmijën e saj, do të përballet edhe me fillimin e një procedimi penal për plagosje të lehtë nga pakujdesia. Kjo është akuza që është ngritur ndaj gruas 27-vjeçare. Burime nga policia sqaruan se foshnja F.M. është dërguar i dëmtuar në mbrëmjen vonë të së martës në Spitalin Ushtarak Tiranë, dhe pas marrjes së njoftimit policia ka verifikuar ngjarjen. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se rreth orës 18:00 të asaj dite, në kohën kur nëna e fëmijës po mbante në karrocë, në afërsi të sheshpushimit të shkallëve të katit të dytë të shtëpisë, beben e vet, karroca i ka rrëshqitur. Rënia nga karroca dhe shkallët i ka shkaktuar dëmtime fëmijës. Megjithatë, duke iu referuar burimeve spitalore, fëmija është jashtë rrezikut për jetën dhe është dërguar në shtëpi, ndërsa çështja ka mbërritur në dyert e Prokurorisë së Durrësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›