E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klandestinët, policia zbulon se si shkelet kufiri

Policia e Gjirokastrës ka arritur të lokalizojë veprimtarinë e një grupi trafikuesish që kishte për bazë Rrethin e Fierit dhe me finalizim Gjirokastrën, duke arritur të arrestojë dhe njërin prej organizatorëve të këtij trafiku. Zamir Metaj, 20 vjeç, nga Fieri, është arrestuar në orën 16:30 të së mërkurës, pasi rezulton të jetë i përfshirë në kalimin ilegal përtej kufirit të gjashtë shtetasve në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Shërbimet kufitare të Stacionit Policor të Kakavijës, së bashku me uniformat blu të Komisariatit të Gjirokastrës, kanë kapur pranë vijës së gjelbër kufitare gjashtë klandestinë, të cilët pasi janë shoqëruar në polici, kanë treguar se 20-vjeçari fierak u kishte marrë nga 700 euro në këmbim të kalimit pa probleme drejt Greqisë. Pas seancave të pyetjeve, që kanë zgjatur për rreth shtatë orë, specialistët e seksionit të luftës kundër trafiqeve të paligjshme, zbuluan të gjithë mekanizmin e përdorur nga 20-vjeçari Metaj, i cili më pas u mësua të ishte pjesë e një grupi të mirorganizuar. Qendra e këtij grupi të paligjshëm, që merret me "shtegtimin" e shtetasve shqiptarë drejt Greqisë kundrejt pagesës, është në Fier. Shtetasit me banim në rrethet e Fierit, Lushnjës, Beratit, Kavajës, Librazhdit etj., mblidheshin të gjithë në Fier dhe mandej transportoheshin në grupe më pak se gjashtë persona drejt Gjirokastrës. Aty, ata strehoheshin në hotele të ndryshme, të shpërndarë, që të mos të binin në sy dhe pikën e takimit e kishin në një bunker të braktisur rreth 2 km në të dalë të qytetit. Të nesërmen, të gjithë transportoheshin me makinat e rastit deri në Kakavijë dhe aty nisnin rrugëtimin me këmbë për të kaluar në Greqi nëpërmjet kufirit të gjelbër. Udhërrëfyesit e paguar i shoqëronin klientët e tyre deri në Janinë, duke shfrytëzuar edhe taksistët grekë për të përshkuar 60 km nga kufiri deri në këtë qytet. Policia e Gjirokastrës ka shtrirë ndërkohë kërkimet edhe në pista të tjera për të identifikuar persona të përfshirë në këtë veprimtari ilegale. Sipas një burimi mjaft të sigurt në Policinë e Gjirokastrës, bëhet e ditur se uniformat blu kanë identifikuar madje edhe organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie ilegale dhe krerët e grupit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›