E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende i zhdukur Spiro Golaj, familjarët apel në media

Familja e Spiro Golajt është shumë e shqetësuar për faktin se disa javë pas zhdukjes, nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e trupit të të ndjerit Spiro Golaj. Dje, të afërmit e të zhdukurit, kanë apeluar duke kërkuar ndihmën e medias që të sensibilizohet halli i tyre.

Edhe pse tashmë ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja ku u mbytën dy pjesëtarët e familjes, plaga nuk është mbyllur ende për ne pasi trupi i vëllait tjetër nuk është gjetur ende, pohojnë ata. Ne kemi tentuar të kontaktojmë disa herë me Romeo Pulison i cili ndodhet në Kroaci por nuk kemi arritur dot të lidhemi, shtojnë familjarët. Ndërsa sqarojnë se e vetmja gjë që kërkojmë është vendi ku është përmbysur varka, në mënyrë që të zhvillojmë kërkime vetë, në mënyrë private. Familja pohon se nuk i ka shuar shpresat për gjetjen e Spiros, pasi u gjet trupi i vëllait tjetër të mbytur, Jani Golaj. Ne duam që, nëse është e mundur të krijohet një lloj harte që të mund të zhvillohen kërkimet, ndërsa sigurojnë se nëse shteti kroat apo shqiptar mund të ketë vështirësi në shpenzime, ne i heqim vetë, mjaft që të kemi një vend të kërkojmë edhe njëherë për të hequr merakun. Të paktën nëse gjendet trupi, nëna dhe familja të ketë një varrë ku të vajtojë, ndërsa kështu dhimbja është e dyfishtë, pohojnë familjarët mes lotësh. Ngjarja ndodhi në fund të janarit të këtij viti kur dy vëllezërit Jani dhe Spiro Golaj dhe Romeo Puliso u nisën me një varkë-gomone për peshkim duke mos u kthyer më siç ishin nisur. Dy vëllezërit i përpiu deti kurse Romeo doli në ujërat kroate ku e dërguan në spital dhe tani gjendet ende në Kroaci, nën hetim nga policia e atjeshme lidhur me ngjarjen. Ndërkohë, në det u gjet trupi i Janit por jo i Spiro Golajt për të cilin ende nuk ka asnjë gjurmë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›