Teatri, "për t‘u njohur me njëri-tjetrin"
Në Teatrin Kombëtar po zhvillohet konferenca teatrore shqiptare "Të njohim njëri-tjetrin", një aktivitet i organizuar nga qendra "Art & Color". Objektivi kryesor i kësaj konference është ngritja në një fazë më të avancuar dhe shkencore të bashkëpunimit midis aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, skenografëve, kritikëve. Në thelb të kësaj konference është ngritja e një tradite për hapjen e diskutimeve dhe debateve periodike nëpërmjet tryezave të rrumbullakëta, simpoziumeve, prezantimeve, qoftë midis artistëve shqiptarë, por edhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në seancën e parë të konferencës së mbajtur dje pas përshëndetjes nga përfaqësues të "Art & Color" dhe nga drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, u fol për teatrin dhe kritikën teatrore. Fjalimin kryesor e mbajti prof. dr. Kudret Velça - kritik, studiues. Ndërkohë që më tej referuan regjisori dhe dramaturgu Mihal Luarasi, dramaturgu Ruzhdi Pulaha dhe regjisori Mehmet Xhelili. Më pas për të pranishmit u shfaq "Sonata e dritës së hënës", J. Ricos dhe "Shtrigat e Salemit", A. Miler, interpretuar nga aktorja Marsela Lena. Seanca e dytë u çel me fjalimin e dr. Përparim Kabo (kritik, publicist) mbi filozofinë e artit. Raporti i teatrit privat me ekonominë e tregut u trajtua nga regjisori Gëzim Kame, ndërsa dramaturgu dhe kritiku, Stefan Çapaliku, referoi me temën "Teatri është folje".