E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende s’e kemi fituar La Ligan

Futbollisti i Real Madridit, Cristiano Ronaldo insiston se ‘Los Blancos’ nuk e kanë siguruar ende titullin e kampionit, përkundër faktit se janë shkëputur në gjashtë pikë nga rivali kryesor, Barcelona, e cila humbi nga Getafe.

Madrilenët ndërkohë e mposhtën rivalin lokal, Atletico Madrid, për ta bërë një hap të madh drejt titullit, i cili i mungon në vitet e fundit. “Ka ende një rrugë të gjatë për ta përshkuar. Ne nuk mendojmë se tashmë veç e kemi fituar titullin në La Liga”, deklaroi mesfushori portugez për të përditshmen spanjolle, As.

Megjithatë, ish futbollisti i Manchester Unitedit nuk i fsheh objektivat që ka klubi madrilen këtë edicion. “Ne dëshirojmë t’i fitojmë të gjitha”, u shpreh më pas ai.

Ekipi nga Santiago Bernabeu do të luajë me Sporting Gijonin dhe Ajaxin në Ligën e Kampionëve, para se të përballet me Barcelonën në ‘El Clasico’ më 10 dhjetor.

Në rast se fitojnë, ‘Merengues’ do të shkonin 9 pikë përpara Barçës dhe titulli do të ishte përpara dyerve të tyre. Ndërkaq, një fitore eventuale e katalunasve do të hapte gjithçka sa i përket titullit të më të mirit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›