E Diel, 1 Nëntor 2026

Enea e vogël do të jetojë, falë ndihmës zvicerane

Ka qenë një fëmijë i shëndetshëm kur ka lindur, para 14 muajve në Gjilan. Pastaj, kur foshnja ka pasur rreth katër muaj, një infektim me burim të panjohur e ka sulmuar atë, duke e sjellë në prag të vdekjes. E gjithë lëkura e trupit të Eneas ishte kapluar nga varrë të tmerrshme, ndërsa mjekët në Kosovë nuk ishin në gjendje të bënin asgjë për të. Kështu fillon rrëfimi në TeleZüri për Enea Zuzakun, vogëlushen të cilën prindërit e kanë sjellë para tre muajsh për shërim në Spitalin e fëmijëve në Zürich.

Historia e Eneas ka qenë subjekt edhe i shkrimeve në mediet kosovare, të cilat me rastin e saj tragjik kanë ilustruar edhe gjendjen dëshpëruese të shëndetësisë në Kosovë.

Prindërit e Eneas, pak kohë më parë ishin kthyer në Kosovë nga Anglia, ku kishin jetuar kohë të gjatë. Në Gjilan ata kishin ndërtuar një shtëpi të bukur dhe planifikonin të nisnin një jetë të re në vendlindje. Por pastaj erdhi sëmundja e Eneas dhe çdo gjë u duk sikur u kthye përmbys.

Agimi, babai i vogëlushes thotë se e ka shitur shtëpinë për të mundësuar shërimin e së bijës. “Kemi mbetur pa kulm mbi kokë, por e kemi Enean të gjallë“, thotë ai për televizionin zviceran.

Enea tash duket shumë më mirë se para tre muajsh. Pjesa më e madhe e varrëve, përmes trajtimit adekuat në spitalin zviceran janë mbyllur. Sikur të mos vinte në Zvicër, ajo nuk do të mbijetonte, shton mjekja që kujdeset për vogëlushen shqiptare. Por, si sqaron ajo, Enea ka nevojë edhe për disa ndërhyrje kirurgjike për t’u shëruar plotësisht. Dhe, për t`u rrumbullakuar shërimi, thotë ajo, do të nevojiten shuma gjashtëshifrore parash (mbi 100 mijë franga). Kjo i tejkalon mundësitë e familjes Zuzaku, prandaj spitali ka shpallur një aksion të veçantë për grumbullimin e të hollave për shërimin e Eneas, përfundon TeleZüri./Indeksonline/    

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›