E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia Braçe: “Vjedhja e OSSH-së, me miratimin e Berishës”

Autori i Lajmit: S.T

Socialisti Erjon Braçe ka ngritur përsëri dje shqetësimin e çdo familjeje shqiptare për faturat e larta të energjisë elektrike. Sipas tij, edhe fatura e muajit shkurt ka treguar se vazhdon vjedhja për 1 milion konsumatorët shqiptarë. Sipas tij, kjo vjedhje e përllogaritur me rezervë, arrin në 4 miliardë lekë të vjetra, por zë gati 10-15% të vlerës së faturuar në muajin janar. Nga këto të ardhura, sqaron Braçe, 20 %, pra 800 milionë lekë të vjetra, i ka marrë Qeveria e Sali Berishës, në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, aplikuar mbi çdo faturë të shtuar me vjedhjen. “Sali Berisha, Kryeministri që ka boshatisur arkën e shtetit, ka nevojë të madhe edhe për këto para! Sali Berisha përfaqëson ortakun shqiptar në monopolin OSSH; vjedhja e provuar ka qenë me bashkëpunimin e tij, heshtja në dy muaj shton dyshimet se vjedhja e provuar është kryer dhe me miratimin e tij.
2-rritja e çmimit të energjisë elektrike ka sjellë si pasojë, rritje të vlerës së faturës së energjisë me gati 30-40%! Pra, çdo familje po paguan prej dy muajsh 30-40% para më shumë për të njëjtën sasi energjie të konsumuar. Kjo rritje është shumë më e madhe se inflacioni 4.4%, apo dhe se rritja e çmimit të energjisë prej 13%”, - tha Braçe. Ligjvënësi socialist përgënjeshtron dhe kreun e Bankës së Shqipërisë, i cili pohoi dy ditë më parë se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme. Sipas tij, kjo rritje kaq e madhe, po rrit shpenzimet e çdo familjeje për furnizimin me energji elektrike dhe natyrisht po rrit peshën e shpenzimeve për energjinë në shpenzimet jetike familjare duke cenuar rëndë standardin e jetesës. Braçe ka bërë thirrje të protestohet për këto probleme të familjes shqiptare. “Në Greqi njerëzit janë në rrugë se po humbin pagën dhe pensionin e 14-të, kurse në Shqipëri qytetarët, përmes zhvlerësimit të lekut, inflacionit real, po humbin pagën dhe pensionin e 9-të duke grabitur në ekstrem paratë e familjes! Kush mendon se kur del në rrugë i shërben partisë së tij gabon; duhet dalë në rrugë për ti dalë zot familjes së tij”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›