E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, CEZ kërkon rritje deri 44.2 %

TIRANË- Kompania CEZ ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë me 44 për qind me konsumatorët shqiptarë. Në fund të muajit shtator, pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes aplikuan pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të këtij produkti me pretendimin se po hasin me humbje të mëdha dhe se janë duke shitur nën kosto.


"Ne aplikuam për një rritje të çmimit të energjisë në masën 44.2 për qind, i cili do të mbulonte kostot dhe do të dilnim me humbje zero, por në kushtet aktuale ne kërkojmë që në vitin e ardhshëm çmimi të rritet me 23.1 për qind dhe diferencën prej 21.1 për qind do ta kërkojmë gjatë vitit 2011", - do të thoshte disa ditë më parë drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Josef Hejsek.


Por kjo kërkesë e CEZ-it është cilësuar si e ekzagjeruar nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili i bëri thirrje ERE-s që të mos e miratojë rritjen në një masë të tillë.
Një nga dyshimet që e kanë bërë Komisionin Europian që të kryejë kontroll në zyrat e kompanisë CEZ është edhe rritja abuzive e çmimit të energjisë.


"Dyshohet se kompania ka ndërmarrë nisma për të përjashtuar nga tregu konkurrentët e saj por edhe për rritje artificiale të çmimeve të energjisë elektrike", - është shprehur zëdhënësi i sektorit te konkurrencës në Komisionin Europian Xhonatan Todd.


Rritja e çmimit për konsumatorët shqiptarë është paravendosur që në shitjen e OSSH-së tek kompania CEZ. Në deklaratën Rregullatore të nënshkruar midis qeverisë shqiptare dhe CEZ-it theksohet se nëse nuk pranon rritjen e çmimit, shteti shqiptar duhet t'i kompensojë kompanisë humbjet.


"Në rast se ERE nuk lejon në tarifë një pjesë të të ardhurave të llogaritura sipas metodologjive përkatëse të miratuara nga bordi i komisionerëve të ERE-s me vendimet Nr. 79 dhe 80 të datës 26.06.2008, atëherë kjo pjesë e të ardhurave do të jetë objekt i mekanizmit të kompensimit", - citohet në të.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›