E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia elektrike i djeg shtëpinë, hedh në gjyq OSSH-në



MAT - Një banor i fshatit Xibër-Murrizë në rrethin e Matit ka hedhur në gjyq OSSH-në duke e akuzuar atë se ka qenë shkaku i djegies së shtëpisë së tij. Ka qenë Isa Hoxha, banesa e të cilit u dogj nga një shkëndijë elektrike, ai që ka depozituar kallëzim në Prokurorinë e rrethit. Ai tha se përgjegjësia e OSSH-së rrjedh nga fakti se nuk ka marrë asnjë masë që lidhjet elektrike të ishin brenda standardit të kërkuar për të dhënë energji elektrike dhe kjo çoi në djegien e banesës duke shkaktuar dëm ekonomik dhe material të papërballueshëm për të dhe familjen e tij. “Kërkoj nga Drejtësia të dëmshpërblehem sepse OSSH-ja është fajtore për dëmin që më është shkaktuar", - thotë ai. Zjarri, sipas familjarëve, ka rënë dje pasdite, por fatmirësisht në ato momente nuk gjendej asnjë person në shtëpi dhe janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Edhe kryeplaku i fshatit shprehet në mbështetje të këtij banori të dëmtuar dhe thotë se luhatjet e shumta të tensionit dhe defektet e shumta në kabinën dhe linjën elektrike kanë shkaktuar dëme të vazhdueshme në banesat e fshatrave të Xibrit. Banorët shprehen se kur nuk paguajnë ua ndërpresin energjinë elektrike menjëherë. “OSSH-ja përdor pincat pa pikën e mëshirës. Kemi apo nuk kemi të paguajmë, ndërsa nuk përgjigjet fare për kabinat, rrjetin elektrik të shkatërruar që po na rrezikon fëmijët apo për lidhjet e vjetra jashtë çdo parametri nëpër banesa, e ku për pasojë ngjasin jo pak djegie të tyre”, deklarojnë ata.

28 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›