Kosovë-Shqipëri, aksion ndaj krimit të organizuar, një i arrestuar në Tiranë
KUKËS - Policia e Shtetit, në bashkëpunim me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës kanë bërë dje disa arrestime për trafikimin e 109 kilogramëve marijuanë. Siç është bërë e ditur nga burime policore, kontrolle janë bërë në Tiranë ku në pranga është vënë Gëzim Gjika dhe në rrethinat e Kukësit, nga ku dyshohet se kalohet ilegalisht lëndë narkotike drejt Kosovës. Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë shqiptare dhe bashkë me njësitë e specializuara, nën drejtimin e një prokurori të EULEX-it, kanë arrestuar tre persona pas një hetimi të gjerë mbi aferat kriminale. Ky operacion, që ndërlidhej me trafikimin e narkotikeve, u realizua në rajonin e Prizrenit dhe është bërë në të njëjtën kohë në Shqipëri me bastisje nga ana e policisë në rrethin e Kukësit dhe Tiranës. Policia e Kosovës ka kryer disa bastisje dhe ka sekuestruar një sërë materialesh, mes të cilave një armë zjarri dhe shuma të mëdha parash. Në këtë hetim të gjatë janë përfshirë shërbime policore nga vende të ndryshme. Në lidhje me këtë rast, në të kaluarën janë sekuestruar sasi të mëdha të narkotikeve. Vlerësohet se sasitë e drogës kishin si destinacion Europën Perëndimore. Ndërkohë, gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e qarkut në Prishtinë ka caktuar ndaj dy personave masën e paraburgimit prej një muaji.
28 Maj 2010