Trojet shtetërore në përdorim që mund të privatizohen
Laureta Rryçi
Qeveria përcakton procedurën për rastet kur trojet shtetërore në përdorim mund të privatizohen. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm llojet e trojeve që preken nga ky ligj dhe rastet kur pagesa mund të bëhet me këste për 12 muaj rresht. Po sipas këtij ligji është parashikuar dhe metoda që do të përdoret për përllogaritjen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të këtyre trojeve. “Në rast se trualli privatizohet nëpërmjet blerjes së truallit në përdorim, atëherë përllogaritja e taksës bëhet proporcionalisht vetëm për periudhën e vitit gjatë të cilit është ushtruar e drejta e përdorimit të truallit shtetëror. Përllogaritja e taksës bëhet duke shumëzuar nivelin e taksës me vlerën e truallit shtetëror në përdorim”, - shkruhet në ligj.
Privatizuesit
Individët që preken nga ky ligj kanë të drejtën e privatizimit nëpërmjet blerjes së truallit shtetëror, nën ndërtesën e privatizuar, të blerë apo të ndërtuar prej tyre. Kontrata e privatizimit, nëpërmjet blerjes, nënshkruhet nga drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave dhe individit që ka qenë përdorues i truallit, sipas legjislacionit në fuqi. Kopje e kontratës i dërgohet, për dijeni, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Shoqëritë tregtare kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e blerjes së truallit apo pjesë të truallit, sipas parashikimeve të bëra nga Ligji Nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Kushtet dhe masa e përfitimit nga e drejta e privatizimit të truallit shtetëror apo pjesë të tij, në përdorim të personit juridik tregtar, bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nëse individi që kërkon të privatizojë truallin shtetëror, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, ndodhet përpara pamundësisë për të paguar menjëherë, mund të kërkojë lidhjen e një marrëveshjeje për pagesë me këste.
Kërkesa bëhet me shkrim dhe depozitohet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Në kërkesë duhet të shprehet vullneti për blerjen e truallit të ofruar për shitje, si dhe vërtetimi që ka paguar rregullisht taksën e të drejtës së përdorimit të truallit shtetëror. Marrëveshja e pagesës me këste lidhet me drejtorin e Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes
së Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave. Në çdo rast, kohëzgjatja e marrëveshjes së pagesës me këste nuk mund të jetë më shumë se 12 muaj. Në rast të mosrespektimit të afatit të pagesës edhe të një kësti të vetëm, marrëveshja zgjidhet
dhe shumat e paguara deri në atë çast shkojnë për llogari të shlyerjes së taksës së të drejtës së përdorimit të truallit shtetëror. Për këtë qëllim, bëhet transferta përkatëse në llogarinë e administratës tatimore. Ekzekutimi i marrëveshjes së pagesës me këste nuk pezullon pagesën e plotë të taksës vjetore mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
Trojet
Ky ligj është i vlefshëm për trojet e paprivatizuara, të ndërtesave të privatizuara nga shtetasit me Ligjin Nr. 7512, datë
10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit” (të shfuqizuar), sipas gen-planeve në momentin e privatizimit të ndërtesave. Është i vlefshëm për trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të
nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit” (të shfuqizuar), sipas gen-planeve në momentin e shitjes së ndërtesave, si dhe për trojet e paprivatizuara mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, mbi bazën e lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave, në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gen-planeve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit. Nga kjo procedurë do të preken edhe trojet në përdorim të personave juridikë tregtarë, në përputhje me parashikimet e vendosura
nga ligji i veçantë. Ky ligj nuk e shtrin veprimin e vet mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore, të dhëna me qëllim investimin mbi to, të cilat rregullohen nga ligje të tjera.
Përllogaritja
Në rast se trualli privatizohet nëpërmjet blerjes së truallit në përdorim, atëherë përllogaritja e taksës bëhet proporcionalisht vetëm për periudhën e vitit, gjatë të cilit është ushtruar e drejta e përdorimit të truallit shtetëror. Përllogaritja e taksës bëhet duke shumëzuar nivelin e taksës me vlerën e truallit shtetëror në përdorim. Për përllogaritjen dhe vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore. Brenda datës 15 shkurt të vitit pasardhës, subjektet, që i nënshtrohen taksës mbi të drejtën e
përdorimit të truallit shtetëror, dorëzojnë, në drejtoritë rajonale ku janë të regjistruar apo në territorin e të cilave banojnë, formularin e deklarimit të taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror. Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror paguhet në bankë, për llogari të organeve tatimore.
Subjektet që taksohen
Detyrimin për pagesën e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror e kanë individët që kanë në përdorim trojet e paprivatizuara të ndërtesave që u përmendën më lart, si dhe personat juridikë tregtarë dhe ndërmarrjet shtetërore, sipas parashikimit të ligjit të veçantë; personat juridikë tregtarë që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, me një akt juridik të vlefshëm, përfitojnë të drejtën e përdorimit të trojeve shtetërore. Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është taksë vjetore. Niveli i taksës mbi të drejtën e përdorimit te truallit shtetëror është 10 për qind e vlerës së truallit shtetëror në përdorim. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Detyrimin për raportimin e të dhënave mbi truallin në përdorim e kanë:
Individët që kanë në përdorim trojet e paprivatizuara të ndërtesave të preken nga procedurat e vendosura nga ligj;
personat juridikë tregtarë, si dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë në përdorim truall shtetëror, pavarësisht nga lloji i kontratës apo marrëveshjes, në bazë të së cilës i gëzojnë të drejtat e përdorimit;
personat juridikë tregtarë që marrin në përdorim truallin shtetëror, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga lloji i kontratës.
Subjektet që kanë detyrimin për raportim të të dhënave mbi truallin në përdorim, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, raportojnë në drejtoritë rajonale tatimore të dhënat për truallin në përdorim, sipërfaqen, vendndodhjen, si dhe aktin, në bazë të së cilit e gëzojnë të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
Falja e qirave të papaguara
Qiratë e papaguara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen në rastet kur individët që përfshihen në subjektet që i nënshtrohen detyrimit për pagesën e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji: depozitojnë kërkesën për privatizim dhe pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit si dhe nënshkruajnë marrëveshje për pagesën me këste. Heqja dorë nga kërkesa për pagesë të menjëhershme apo nga marrëveshja e pagesës
me këste, si dhe mosrespektimi i afatit të pagesës, qoftë edhe të një kësti të vetëm në rastin e marrëveshjes së pagesës me këste, rikthen detyrimin për pagesën e qirave të papaguara.
28 Maj 2010