E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, jo rritje gjatë vitit 2009



Privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë nuk do të prekë tarifat gjatë këtij viti. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta. “Viti 2009 është një periudhë tranzitore gjatë së cilës kryhet procesi i privatizimit. CEZ do të organizohet. Në këtë kuadër kërkohet të mos marrin përsipër angazhime për zvogëlimin e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. Në këto kushte ne kërkuam që gjatë kësaj periudhe të mos ketë ndryshim çmimesh”, - tha Nepravishta. Rritja e mundshme e tarifave të energjisë mund të nisë vitin e ardhshëm. “Parashikohet që ai të aplikojë për çmim të energjisë elektrike në gusht të vitit 2009 dhe Enti Rregullator i Bordit do të marrë vendimin për çmimet e energjisë elektrike, që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2010”, - shtoi Nepravishta. Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka thënë se shteti do të mbrojë qytetarët në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë. “Fakti që ne kemi prodhimin, na jep instrumente të ndikojmë në tregun e energjisë, si në furnizim ashtu dhe në tarifa”, - ka thënë ministri. Ai shtoi se “shteti në finale nuk i humbet të gjithë instrumentet për të ndikuar në tregun e energjisë elektrike apo në çmimin e energjisë elektrike, në kuptimin se shteti në periudha të caktuara për arsye ekonomike, apo sociale, mund të vendosë të mos ketë rritje të menjëhershme apo shumë të lartë të energjisë elektrike”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›