Ministria e Drejtësisë, hapa konkretë për mbrojtjen e gjyqtarëve
Motivi, krijimi i kushteve dhe garancive të nevojshme për luftëtarët e krimit. Në projektvendim parashikohet sigurimi i jetës, aftësive për punë dhe pronës përmes kontratave me shoqëritë e sigurimeve
Në kuadrin e përpjekjeve për një luftë sa më të suksesshme kundër krimit të organizuar, i cili sa vjen dhe bëhet sa më i sofistikuar dhe i rrezikshëm, Ministria e Drejtësisë ndërmori një hap të rëndësishëm për gjyqtarët që gjykojnë këta kriminelë dhe grupet e tyre kriminale, duke krijuar të gjitha kushtet e garancitë e nevojshme për luftëtarët e krimit, me anë të një propozimi drejtuar Këshillit të Ministrave përmes një drafti për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Gjykatave të Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatave për Krime të Rënda, të gjyqtarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe atyre të Apelit. Ky draft kaloi në Këshillin e Ministrave dhe u miratua, ndërkohë që pritet që të fillojë nga puna Komisioni që do të shqyrtojë projektvendimin. Në nenin 24 të ligjit nr. 9877, datë 18.92.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, gjyqtarit i njihet e drejta për mbrojtje të veçantë nga shteti për veten, familjen dhe pronën për rrethana serioze që i kërcënojnë jetën, familjen dhe pronën. Ndaj dhe këto kritere dhe procedura për mbrojtjen e tyre u përcaktuan me vendim nga Këshilli i Ministrave. Në mënyrë specifike, në nenin 9 të ligjit nr. 9110, datë 24.07.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda”, është përcaktuar se gjyqtarët e Gjykatave për Krime të Rënda, si ata të Shkallës së Parë, ashtu dhe ata të Apelit për Krime të Rënda, gëzojnë edhe këto të drejta e garanci, si mbrojtje të veçantë personale, familjare dhe pasurore, si dhe ruajtje të afërt fizike. Në një nen të mëpasshëm, konkretisht nenin 10 të po këtij ligji, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë akte nënligjore të nevojshme lidhur me sigurimin e ruajtjen e posaçme të mjediseve të punës, ruajtjen e afërt fizike, mbrojtjen familjare dhe pasurore, si dhe masa të tjera që lidhen me mbrojtjen e posaçme të Gjykatave të Krimeve të Rënda dhe të Gjykatave të Apelit për Krime të Rënda, si dhe gjyqtarëve të tyre.
Propozimi
Propozimi i projekt-vendimit nga Ministria e Drejtësisë, i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe pritet tashmë që të shqyrtohet nga një grup pune që u ngrit gjatë mbledhjes së fundit të KLD-së, është në vazhdën e masave legjislative e institucionale të ndërmarra për përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Gjyqtarët e Gjykatave për Krime të Rënda dallohen për shkallën e rrezikshmërisë së lartë që ata ndeshin gjatë ushtrimit të detyrave të tyre funksionale dhe ligjore gjatë gjykimit të çështjeve të ndryshme, shpeshherë me rrezikshmëri të theksuar. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, për këtë arsye, garantimi i shëndetit, jetës dhe i një mjedisi sa më të sigurt, po ashtu edhe i familjes e pronës, është jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një parakusht për realizimin e plotë të detyrës së gjyqtarëve. Miratimi i këtij projekt-vendimi do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e garancive që shteti ndërmerr për funksionarët e tij, me qëllim që ata të kryejnë detyrën në mënyrë sa më të qetë, të sigurt dhe efektive. Në projektvendim janë përcaktuar kushtet dhe modalitetet lidhur me sigurimin e mbrojtjes së veçantë të gjyqtarëve të Gjykatave për Krime të Rënda në rrezik.
Ngritja e komisionit
Sipas projektvendimit të miratuar në Këshillin e Ministrave, për sigurimin e një mbrojtje të posaçme dhe sa më efikase është parashikuar ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të shqyrtojë kërkesat e paraqitura nga ana e gjyqtarëve të Gjykatave për Krime të Rënda, kur për shkaqe që lidhen me detyrën atyre u kërcënohet jeta, familja ose prona. Ky komision do të ketë në përbërje të tij përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, si Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, KLD-së, kryetarin e Gjykatës pranë së cilës ushtron detyrën gjyqtari kërkues, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke i dhënë në këtë mënyrë një rëndësi të veçanta çdo kërkese të paraqitur nga gjyqtarët dhe duke siguruar një shqyrtim sa me profesional dhe të drejtë të saj. Projektvendimi ka parashikuar mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve, afatet si dhe vendimet që mund të marrë komisioni pas shqyrtimit të kërkesës. Ndërkohë që përcaktimi i strukturës, organikës së nevojshme për mbrojtjen e veçantë të gjyqtarëve, trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit të ngarkuar me këtë detyrë, lloji i armatimit dhe i pajisjeve ndihmëse, kriteret e përzgjedhjes së efektivave si dhe rregullat për mënyrën e zbatimit të masave do të jenë në kompetencë të ministrit të Brendshëm. Por, ky projektvendim nuk do të zbatohet vetëm për gjyqtarët e Krimeve të Rënda, por edhe për gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor, të cilëve për shkak të detyrës u rrezikohet jeta, familja apo pasuria. Këta gjyqtarë, sipas burimeve zyrtare, në zbatim të ligjit nr. 9877 do të përfitojnë mbrojtje të veçantë vetëm në rast se e kërkojnë vetë.
Sigurimi financiar i jetës, punës dhe pronës
Gjithashtu, është parashikuar që gjyqtarëve të Gjykatave për Krime të Rënda t’u sigurohet financiarisht nga shteti jeta, aftësia për punë dhe prona, nëpërmjet lidhjes së kontratave të sigurimit me shoqëritë e sigurimeve. Kjo, për faktin se në rast se për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre shkaktohet vdekje e tyre apo familjarëve të tyre apo dëmtohet pasuria e tyre në mënyrë të qëllimshme, ata të mund të përfitojnë kur është rasti, për vete apo familjarët, shumën e sigurimit për të përballuar vështirësitë financiare me të cilat mund të përballen eventualisht. Shteti merr përsipër të paguajë primin e sigurimit të jetës dhe pasurisë së gjyqtarit, mbi bazën e dokumentacionit që do të hartojë ZABGJ për këtë qëllim. Me llojin e pasurisë duhet të kuptohet sigurimi i pasurisë së paluajtshme dhe konkretisht vetëm shtëpia ku ata banojnë. Ky sigurim është përfshirë në këtë projektvendim edhe për të diferencuar statusin e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda përkundrejt gjyqtarëve të zakonshëm, për të qenë në përputhje me kuadrin ligjor që e bën një ndarje të tillë.
Ku konsistojnë efektet financiare
- Në drejtim të shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje të posaçme, efekte financiare nuk ka, sepse aktualisht vepron VKM nr. 38, datë 26.1.2001 që jep mbrojtje të posaçme për personat në rrezik dhe ku njëkohësisht ekziston një strukturë e cila siguron një mbrojtje të tillë.
- Në drejtim të kontratave të sigurimit. Nga të dhënat e tregut rezulton se primi i sigurimit nga aksidentet dhe të jetës, duke marrë si mesatare rrogën prej 10.000 lekë, varion në 0.5 % e shumës së siguruar deri në 5.000.000 lekë, pra rreth 25.000 lekë në vit për person.
- Gjyqtarë të Krimeve të Rënda (në shkallën e parë dhe të dytë) që përfitojnë nga ky vendim janë gjithsej 27 dhe në total shuma e sigurimit të jetës është rreth 675.000 lekë.
Mbrojtja për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese
Lidhur me mbrojtjen e veçantë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ajo do të realizohet sipas kësaj VKM-je deri në momentin e rishikimit të ligjit organik të saj. Në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” nuk është parashikuar një dispozitë e veçantë që të rregullojë mbrojtjen e posaçme të këtyre gjyqtarëve, por, sipas nenit 31 të këtij ligji, për probleme të cilat nuk gjejnë zgjidhje në këtë ligj, do të zbatohen dispozitat e ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Ndërsa, për sa u përket gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ata nuk janë subjekt i këtij vendimi, për shkak se në bazë të ligjit ligj nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, kur këtyre gjyqtarëve u rrezikohet jeta, familja apo pasuria, ata mbrohen nga organet përkatëse, të ngarkuara me ruajtjen e personaliteteve të larta.