Energjia kufizime ne jug

Drejtuesit e OST-së kanë theksuar se po punohet për riparimin e shtyllës së tensionit të lartë, e cila u hodh në erë më 30 dhjetor të vitit të shkuar.
Kjo ka bërë që qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Tepelena, Saranda, Gjirokastra dhe Permeti të përballen me kufizime të zgjatura të energiisë elektrike.
Zyra e shtypit në CEZ ka sqaruar se furnizimi me energji elektrike në këtë pjesë të vendit është rreth 40%.
“Duke filluar nga rrethi i Durrësit dhe poshtë, si në Lushnje, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, etj, janë linja ku furnizohen 5 transmetuesit. Në këto momente, kur OST po bën punime, ne nuk mund t’i furnizojmë me kapacitet 100% konsumatorët dhe për pasojë bëjmë këtë ndërprerje”, ka sqaruar zëdhënësja Fabiola Haxhillari.
Në këtë pjesë të vendit furnizohen me energji elektrike pa nderprerje të gjitha institucionet me rëndësi të vecantë. “Institucionet e rëndësisë së vecantë ne mund t’i furnizojmë me energji të pandërprerë”, ka shtuar Haxhillari.
Shkatërrimi i shtyllës së tensionit të lartë në Krujë, një natë para ndërrimit të viteve, ka sjellë probleme të mëdha me furnizimin me energji për mijëra qytetarë.