E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, në garë 9 kompani

16/12/2008  Hapet tenderi ndërkombëtar për importin e energjisë që do të mbulojë humbjet

Për periudhën janar-mars OSSH-ja do të shpenzojë rreth 47 milionë euro

Mbi 47 milionë euro ka planifikuar të shpenzojë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për importin e energjisë gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm. Dje është zhvilluar tenderi për blerjen e energjisë për periudhën janar–mars, me të cilën OSSH-ja planifikon të mbulojë humbjet teknike në rrjet.

Tenderi

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hapur tender ndërkombëtar për të blerë energji, por pjesëmarrja në garë ishte shumë e madhe dhe vetëm njëra prej nëntë kompanive ka paraqitur sasinë e plotë të kërkuar nga OSSH-ja. Sipas dokumentacionit të tenderit, parashikohej ndarja në tre lote dhe sipas eksperiencës së viteve të kaluara blerja e energjisë është bërë në disa prej kompanive, jo vetëm te njëra. Rreth 200 milionë euro ka shpenzuar KESH-i deri në fund të vitit për blerjen e energjisë. Sipas të dhënave zyrtare, nga muaji janar deri në muajin shtator për blerjen e energjisë janë harxhuar rreth 148 milionë euro. Në tenderin e KESH-it për dy muajt e fundit të vitit shuma e parashikuar për dy lotet ishte 22.2 milionë euro, duke e çuar në total vlerën e shpenzuar për energjinë e importuar këtë vit në rreth 170 milionë euro.

Energjia

Në tenderin e tetorit është synuar blerja e rreth 219 mijë megavat orë energji me një shumë prej 22.2 milionë euro. Sipas llogaritjeve rezulton se OSSH-ja ka parashikuar që të importojë energjinë gjatë dy muajve të fundit të vitit me një çmim mesatar prej 101.3 euro për megavat orë. Në tenderin e tetorit morën pjesë tetë kompani, të cilat paraqitën një çmim mesatar të blerjes së energjisë më pak se parashikimi zyrtar. Një prej çmimeve më të ulëta është paraqitur nga kompania “Genai” me 90.6 euro për megavat orë. Por edhe në këtë tender asnjë prej kompanive nuk ofroi të gjithë sasinë e kërkuar nga OSSH-ja, duke lënë të hapur për kontraktim më shumë se një kompani për importuar sasinë e nevojitur. Procedura e tenderit u organizua në dy lote. Për lotin e parë OSSH kërkoi të blinte një sasi energjie prej 108 mijë megavat orë, duke vënë në dispozicion fondin limit prej 11 milionë euro, ndërsa për lotin e dytë OSSH-ja kërkoi të blinte 111 mijë megavat për energji kundrejt fondit 11.2 milionë euro.

Strategjitë

Qeveria, në bashkëpunim me sektorin privat, ka parashikuar investime të rëndësishme në burimet prodhuese dhe linjat e transmetimit për të zgjidhur në afatgjatë problemin e energjisë elektrike. Një strategji, që po ndiqet edhe nga vendet e tjera të rajonit. Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se janë duke u realizuar disa projekte për ndërtim kapacitetesh të reja në TEC-e dhe HEC-e me rreth 1.200 megavat orë, si dhe po ndërtohet lidhja e re e interkonjeksionit me Malin e Zi. Gjithashtu, janë parashikuar që të ndërtohen lidhje të reja ndërsistemore me Kosovën, Maqedoninë dhe Italinë. Këto projekte të reja, jo vetëm do rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike, por do të hapin dhe vende të reja pune.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›