KESH: Energjia nuk do të mungojë për festa
16/12/2008 Reshjet e fundit kanë sjellë rritje të prodhimit të energjisë në vend. Përveç kësaj situate të favorshme, edhe blerjes së energjisë nga jashtë garanton sipas burimeve të Divizionit të Prodhimit në Korporatën Elektroenergjetike një situatë të mirë në furnizim me energji. Aktualisht konsumi ditor është mbi 20 milionë kilovat orë, ku 13 deri ne 15 milionë vijnë nga prodhimi vendas. Ardhja e stinës së ftohtë të dimrit ka rritur konsumin e energjisë elektrike. Për rrjedhojë edhe orët pa drita në zonat e thella malore, në fshatra dhe komuna. Edhe pse nuk pranojnë se bëhet fjalë për grafik kufizimesh, drejtues të OSSH-së thonë se furnizimi me energji është ndërprerë vetëm në raste avarish, ose riparimesh. Aktualisht OSSH-ja është në proces privatizimi, pasi kompania çeke CEZ është caktuar fituese në tenderin ndërkombëtar. Sipas drejtuesve të sektorit energjetik në vend, liberalizimi i tregut të energjisë pas këtij privatizimi është përfitimi i parë. “Pas këtij privatizimi do të liberalizohet tregu dhe do të bëhet i mundur integrimi i tij në tregun rajonal dhe më gjerë. Kjo do të thotë se hapet rruga që të kemi më shumë se një operator në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike”,- shpjegojnë ekspertët. Ata shtojnë se të tjera avantazhe janë përmirësimi i energjisë që do të hidhet në rrjet, shtimi i investimeve në sektorin e energjisë, ulja e nivelit të humbjeve dhe rritja e arkëtimeve. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka qenë procesi më i vështirë dhe më kompleks i realizuar deri tani.