E Diel, 1 Nëntor 2026

“Energjia në krizë, Qeveria nuk ka investuar për burime të reja

Autori i Lajmit: red.
Ish- drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, kritikon Qeverinë për situatën energjetike në vend. Ai kujtoi dje se
po mbyllet viti i tretë i qeverisjes së Sali Berishës dhe ende nuk kemi asnjë burim të ri energjie të ndërtuar në vend e që do të ishte pjesë e një plani të madh për shtimin dhe diversifikimin e burimeve energjetike, të mjaftueshme për nevojat familjare dhe për të mbështetur e nxitur zhvillimin ekonomik të vendit. “Nuk është ndërtuar asnjë termocentral, asnjë HEC, madje, as ndonjë park energjetik, të premtuara me shumë bujë përpara 3 korrikut 2005. Qoftë ky me gaz, qoftë ky me erë! Madje, qeveria ka harxhuar kohë e burime financiare si pasojë e premtimeve të para 3 Korrikut duke vonuar për arsye korruptive ndërtimin e TEC-it të Vlorës, i cili tashmë duhet të kishte mbaruar fazën e parë dhe do të prodhonte energji!”, - tha Harasani. Sipas tij, qeveria ka harxhuar kohë e burime financiare duke vonuar për arsye korruptive ndërtimin e linjës së konjeksionit me Malin e Zi, çka do të krijonte rritjen e kapaciteteve tona importuese të energjisë si dhe uljen e varësisë nga kompani furnizimi me energji, të cilat Kryeministri i ka sulmuar fort si korruptive, ndërkohë që sot është klienti më i rregullt e më i madh i tyre, madje me çmime tri herë më të larta e me sasi pesë herë më të mëdha. Ish-kreu i KESH-it kujtoi se shqiptarët, në vitet 2005 - 2008 po paguajnë çmimin e një kilovati energjie elektrike nga 7 lekë në 2005 në 14.4 lekë me TVSH , TVSH e cila ishte premtuar të shkonte në 6 % nga 20% që paguajmë sot. “Çmimi është paralajmëruar të rritet, pra qytetarët do të paguajnë dhe më shumë për shkak të krizës financiare të qëndrueshme ardhur si pasojë e faktorëve të mësipërm në Korporatë”, - tha Harasani
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›